Sot 30 vite nga Mesha e Parë, Meta: Akt historik dhe prelud i rënies përfundimtare të dikaturës,

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ndarë një mesazh me ndjekësit e tij në Facebook, me rastin e 30-vjetorit të Meshës së Parë në Shkodër.

Akt historik dhe prelud i rënies përfundimtare të dikaturës, e quan kreu i shtetit meshën e zhvilluar në Kishën Katolike të Shkodrës, në 4 nëntor 1990.

“Si sot, në 4 nëntor 1990, me një akt historik e tepër të rëndësishëm jo vetëm për Kishën, Dom Simon Jubani, me një kurajë civile të pashoq i dha një goditje regjimit komunist, me meshën e mbajtur në varrezat e Rrmajve në Shkodër, duke ju dhënë zemër e rikthyer shpresën tek besimtarët dhe populli shqiptar, të privuar në dekada nga liritë e të drejtat themelore”, shkruan Meta.

Postimi i plotë
Me rastin e 30-vjetorit të Meshës së Parë, si dhe të 4-vjetorit të shpalljes Martirë të Fesë, të 38 Shërbëtorëve të Hyjit, shpreh respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin tim për sakrificat dhe kontributin e vazhdueshëm që Kisha Katolike, drejtuesit dhe besimtarët e saj kanë dhënë për përparimin dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Si sot, në 4 nëntor 1990, me një akt historik e tepër të rëndësishëm jo vetëm për Kishën, Dom Simon Jubani, me një kurajë civile të pashoq i dha një goditje regjimit komunist, me meshën e mbajtur në varrezat e Rrmajve në Shkodër, duke ju dhënë zemër e rikthyer shpresën tek besimtarët dhe populli shqiptar, të privuar në dekada nga liritë e të drejtat themelore.

Kjo Meshë, e zhvilluar në kushte terrori nga një regjim që po jepte shpirt, riktheu të drejtën e shprehjes dhe lirinë e ndërgjegjes dhe shërbeu si një prelud i ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme, që do të pasonin deri në rënien përfundimtare të dikaturës komuniste në Shqipëri.

Kjo ngjarje vinte si rrjedhojë e qëndrimit, vuajtjeve dhe martirizimit të klerit katolik në Shqipëri dhe sidomos e kurajës së dëshmuar në veçanti nga qytetarët e Shkodrës, të cilët përherë kanë qenë në ballë të lëvizjeve për demokratizimin e vendit.

Lumturimi nga Selia e Shenjtë e 38 Martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri, simbole të rezistencës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave hyjnore, integritetit e dinjitetit njerëzor dhe idealeve kombëtare, është një tregues i qartë i qëndresës, sakrificave dhe kontributit të vyer që kleri ka dhënë në drejtim të mbrojtjes së lirisë së besimit, përparimit e demokratizimit të vendit tonë.