Sot mblidhet Kuvendi/ Miratohet buxheti për vitin 2021

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë nen për nen buxhetin për vitin 2021, por me një sërë ndryshimesh pas rritjes së fondeve për disa institucione.

Fokusi i këtij buxheti do të jetë përballimi i pandemisë Covid-19 dhe rrjedhimisht, institucioni që ka përfituar më shumë para është Ministria e Shëndetësisë. Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ekonomisë, buxheti i ministrisë së Shëndetësisë është rritur me 2.2 miliardë lekë, duke shkuar në total 70 miliardë lekë.

Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren për pandeminë. Gjithashtu nga buxheti i vitit të ardhshëm do të përfitojnë dhe naftëtarët e Ballshit, ku vlera totale arrin 560 milion lekë. Ky fond shtesë erdhi si rezultat i marrëveshjes së kryeministrit Rama me punonjësit e rafinerisë të cilët për 12 muaj do të përfitojnë një rrogë prej 40 mijë lekësh në muaj plus dhe siguracione të paguara.

Pritshmëritë për të ardhurat e buxhetit do ta kalojnë vlerën prej 479 miliardë lekësh të përcaktuar fillimisht, dhe me shtesat buxhetore të miratuara të ardhurat mund të arrijnë mbi 483 miliardë lekë.

Seanca e kësaj të hëne do të mbizotërohet nga diskutimet për buxhetin por në axhendë nuk përjashtohen as diskutime te tjera, si interpelanca me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj të kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare mbi rezultatet të luftës ndaj trafikut të narkotikëve dhe vrasjeve e grabitjeve. Gjithashtu do të miratohen dhe disa ndryshime në ligjin për partitë politike i cili duhet te harmonizohet me percaktimet e bera ne kete Kod pas ndryshimeve të miratuara në Kuvend në 23 qershor.

Rendi i ditës:

Në mbështetje të Urdhrit nr. 59, datë 13.11.2020 të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.11.2020
2. Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim
3. Interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm kërkuar nga grup deputetësh.
4. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike”, i ndryshuar”. (Neni 78 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit në parim, nen/nen, në tërësi
5. Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019”.
Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Diskutime
Koha e votimit në parim, nen/nen, në tërësi
6. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2021”. (Shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi) (Nenet 78 dhe 158 të Kushtetutës dhe nenet 55, 75-77, 84 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Relator: Anastas Angjeli Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).