Tetë viktima dhe 563 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Tetë pacientë me COVID-19 humbën jetën 24 orët e fundit në Shqipëri, ndërsa 563 persona të tjerë u diagnostikuan të infektuar nga virusi sipas përditësimit të fundit që bëri ministria e Shëndetësisë.

Viktimat ishin të moshave 33, 46, 60, 65, 66, 74 dhe 76 nga Lushnja, Shkodra, Përrenjasi, Tirana, Pogradeci dhe Durrësi.

Rasti me moshën më të re, ishte një 33-vjeçare nga Lushnja e cila thuhet se nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.

Në përditësimin e sotëm u vu re një rritje e ndjeshme e numrit të testimeve, duke kaluar për herë të parë mbi 2,500 testime.

Autoritetet thanë se pas 2,723 testesh – të kryera në laboratorë publikë dhe privatë, prej të cilave "984 janë testime që janë kryer për arsye depistimi", – rezultuan pozitivë 563 persona (pozitiviteti 20.6%).

Tashmë numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara prej muajit mars ka shkuar në 25,294 raste, prej së cilave 12,353 (48.8%) janë shëruar, 12,362 (48.87%) janë ende me mbartje të virusit, ndërsa në 579 raste (2.28%) janë përfunduar me vdekje.

Ministria tha se në 24 orët e fundit u shëruan 150 persona, ndërkohë që në tre spitalet e Tiranës, ku trajtohen të sëmurët me COVID-19, janë të shtruar 367 pacientë, prej së cilëve 15 janë në terapi intensive – 3 të intubuar.

Qarku i Tiranës, Durrësit dhe Fierit mbeten me rastet më të shumta të COVID-19.

Kryeqyteti ka aktualisht mbi 6 mijë raste aktive, ndërsa me rreth 1 mijë vijojnë Durrësi dhe Fieri.

Për të frenuar disi prirjen shqetësuese të infeksionit Komiteti Teknik i Ekspertëve i propozoi qeverisë që të vendosë nga e mërkura kufizim me 8 orë të lëvizjeve dhe aktiviteteve të bareve dhe restoranteve.

Kjo masë pritet të japë kryesisht ndikim në Tiranë, ku zona të frekuentuara në orët e vona të natës janë parë si ndër më problematiket në përhapjen e infeksionit.