Trembëdhjetë viktima, mbi 700 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Trembëdhjetë pacientë me COVID-19 humbën jetën ndërsa 737 persona të tjerë u diagnostikuan të infektuar ditën e shtunë.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se viktimat ishin të moshave 54-82 vjeç nga Tirana, Gjirokastra, Fieri, Lezha dhe Shkodra.

Autoritetet thanë se në laboratorët publikë e privatë u kryen 2,470 teste – 528 prej së cilave për arsye “depistimi” (kontrolli), – nga këto teste 737 persona rezultuan të infektuar me një pozitivitet 29.8-38%.

Kjo është dita e katërt radhazi, që pas 18 nëntorit, që autoritetet pikasin mbi 700 raste të reja me COVID-19, me një prirje që mbetet shqetësuese pasi vetëm këto katër ditë janë diagnostikuar 3,070 raste të reja – kaq raste pati periudha mars-korrik e pandemisë.

Kështu prej nisjes së pandemisë, totali i rasteve në vendin tonë ka shkuar në 32,196 – prej së cilave 16,042 aktive (49.8% totalit), – ndërsa 685 prej tyre (2.1%) janë mbyllur me pasojë vdekjen.

Gjatë ditës së sotme u deklaruan “të shëruar” 414 persona të tjerë duke e çuar totalin në 15,469 qytetarë (48% e totalit të rasteve) që kanë mundur ta mposhtin virusin.

Ministria e Shëndetësisë tha se në tre spitalet e Tiranës ku trajtohen të sëmurët me COVID-19 janë aktualisht të shtruar 443 pacientë (2.7% e rasteve aktive), prej së cilëve 10 janë në terapi intensive.

Diçka më shumë se gjysma e rasteve aktive me COVID-19 mbetet në qarkun e Tiranës (8,386 raste), ndërsa tejet shqetësuese paraqitet situata edhe në Fier (1,204 raste) dhe Durrës (1,184 raste).