Trump-Biden, në garë të ashpër për Shtëpinë e Bardhë

Presidenti republikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Biden kanë siguruar secili votat elektorale në një numër shtetesh, ndërkohë që amerikanët presin me ankth rezultatet e votimit në shtetet ku numërimi ende nuk ka përfunduar, për të përcaktuar se kush do të qeverisë nga Shtëpia e Bardhë për një mandat katër-vjeçar duke filluar nga janari.

Numërimi i votave po vazhdon në të gjithë vendin. Trofetë e Presidentit Trump përfshijnë Ohajon, Teksasin, Floridan dhe Kentakin, ku udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell fitoi gjithashtu rizgjedhjen. Fitoret e zotit Biden përfshijnë shtete si Kalifornia, Ilinoi, Virxhinia dhe shtetin ku ai banon, Delauer.

Në orët e ardhshme dhe ndoshta për disa ditë, vëmendje e madhe do t'i kushtohet numërimit të votave në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin - shtete që ndihmuan t’i jepnin fitoren zotit Trump në vitin 2016 dhe që dolën si fushat kryesore të betejës elektorale përsëri në vitin 2020. Pensilvania është një nga disa shtetet ku me sa duket do të duhet kohë shtesë për të numëruar votat e shumta të hedhura me postë nga amerikanët të cilët preferuan të mos votonin personalisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Të dy kandidatët shprehën optimizëm të mërkurën në orët e para të mëngjesit.

Zoti Biden u tha mbështetësve në Delauer: "Ne besojmë se jemi në rrugën e duhur për t’i fituar këto zgjedhje." Ai gjithashtu kërkoi durim ndërsa vazhdon numërimi i votave.

Presidenti Trump, duke folur në Shtëpinë e Bardhë disa orë më vonë, shkoi më tej, duke thënë, "Ne do ta fitojmë këtë, dhe për mua, ne tashmë kemi fituar".

Presidenti vazhdoi gjithashtu të shprehë kundërshtimin për shtetet që po numërojnë fletët e votimit pas Ditës së Zgjedhjeve, diçka që ka ndodhur rregullisht në zgjedhjet e mëparshme. Pa specifikuar objektivin e një sfide ligjore, Presidenti Trump tha: "Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara."

Nga ana e tij, zoti Biden tha: "Nuk më takon mua, as Donald Trumpit të deklarojë se kush i ka fituar këto zgjedhje, ky është vendimi i popullit amerikan."

Më pas, fushata e zotit Biden shpërndau një deklaratë ku thuhej:

“Deklarata e presidentit sonte në lidhje me përpjekjen për të bllokuar numërimin e votave të hedhura rregullisht ishte skandaloze, e pashembullt dhe e pasaktë. Ishte skandaloze sepse është një përpjekje për t’u hequr të drejtat demokratike qytetarëve amerikanë. Ishte e pashembullt, sepse asnjëherë më parë në historinë tonë një president i Shteteve të Bashkuara nuk është përpjekur t’u heqë zërin amerikanëve në zgjedhjet kombëtare. Është e pasaktë sepse nuk do të ndodhë.”

Përveç zgjedhjes së presidentit, amerikanët po votojnë edhe për ligjvënësit e Kongresit si dhe për zyrtarët shtetërorë dhe lokalë. Dhjetëra miliona vota të hedhura të martën po i shtohen më shumë se 100 milion votave të regjistruara gjatë javëve të votimit të hershëm. Pjesëmarrja e votuesve pritej të thyente rekorde të reja, megjithë kufizimet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Zhvillimet e fundit

* Siç edhe pritej, demokratët me gjasë do të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkaq kontrolli i Senatit nga republikanët është i pasigurt, pasi rezultati i disa garave për Senatin në të gjithë vendin nuk është shpallur ende.

* Senatori Republikan Mitch McConnell nga Kentaki, udhëheqës i shumicës në Senat, fitoi mandatin e shtatë gjashtë-vjeçar, duke mundur ish-piloten e marinsave Amy McGrath.

* Sipas një sondazhi të organizatës Edison Research, Presidenti Trump ka përmirësuar pozitat e tij në mesin e çdo race dhe gjinie përveç meshkujve të bardhë, krahasuar me vitin 2016 kur ai mundi demokraten Hillary Clinton. Ndërsa humbi 5 përqind mes meshkujve të bardhë, ai u ngrit 2 për qind më lart mes grave të bardha, katër për qind mes meshkujve dhe femrave afrikano-amerikane dhe nga 3 për qind mes meshkujve dhe grave hispanike.

* FBI tha se po heton raportet për telefonatat me robo-call që njerëzit të mos votonin në disa shtete. Por nuk pati shenja të një konflikti në shkallë të gjerë në qendrat e votimit siç druanin disa.

* Sekretari i Sigurisë së Brendshme në detyrë, Chad Wolf u tha gazetarëve të martën se nuk kishte "asnjë shenjë" se ndonjë "aktor i huaj" ka ndërhyrë me sukses në zgjedhje.

Zgjedhjet, të qeta në mbarë vendin

Miliona amerikanë pritën me durim në radhë të martën për të hedhur votat në biblioteka, shkolla, pallate sporti në kushtet e një pandemie vdekjeprurëse. Pjesëmarrja pasqyronte një demonstrim të rregullt të detyrës civile që dallonte qartë nga tensionet e thella që karakterizuan fushatën e ndezur zgjedhore.

Shumë votues qëndruan në rradhë me maska mbi fytyrë, ndërkohë që në shumë qytete bizneset e dyqanet kishin mbuluar dritaret me kompensata, kujtesë e dy problemeve madhore në këtë periudhë zgjedhjesh: pandemia e COVID-it dhe protestat, në shumë raste të dhunshme nga demonstrues kundër praktikave policore dhe racizmit.

FBI-ja dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut hapën hetime lidhur me një numër telefonatash automatike që u bënin thirrje njerëzve të mos dilnin për të votuar.

Ndërkaq, një gjykatës federal urdhëroi Shërbimin Postar Amerikan të kontrollonte magazinat në të gjithë vendin për të parë nëse ka fletë-votime të pa postuara dhe t’i dërgojnë menjëherë në zyrat zgjedhore për numërim.

Grupe për të drejtat civile dhe agjenci të rendit ishin në gjendje gatishmërie, nën shqetësimet për kërcënime, apo frikësim të votuesve, por deri në orët e vona të pasdites ka pasur fare pak raportime për probleme.

Një incident shqetësues u regjistrua në shtetin e lëkundur të Karolinës së Veriut ku një person me armë zjarri që e mbante dukshëm, u arrestua dhe u akuzua se kishte shkelur perimetrin rrethues të një qendre votimi.

Policia thotë se 36-vjeçari Justin Dunn kishte qëndruar në perimetrin e qendrës së votimit, pasi kishte hedhur votën “ndoshta për të frikësuar votuesit e tjerë”. Një zyrtar i zonës i tha të largohej, por ai u kthye pas dy orësh, kur u arrestua nga autoritetet.

Në qytetin e Nju Jorkut, në disa qendra votimi njerëzit pritën në radhë që vazhdonin përreth bllokut. Por në qytete të tjera si Los Anxhelos dhe Detroit radhët ishin shumë të shkurtra. Punonjësit në qendrat e votimit mendojnë se kjo është rezultat i pjesëmarrjes së lartë në votimet e hershme. Rreth 100 milionë amerikanë kishin votuar para ditës së zgjedhjeve, duke shënuar një nivel rekord pjesëmarrjeje në votimet e hershme.

Në Atlanta, rreth dhjetë votues kishin zënë radhë që pa dalë dielli. Ginnie House, e cila dridhej nga të ftohtit, ishte e para në radhë.

"Më humbi fletë-votimi që kisha marrë për ta dërguar me postë para datës,” thotë kjo 22 vjeçare, e cila kishte ardhur me avion nga Nju Jorkut, për të votuar në qytetin ku është e regjistruar si votuese.

Ajo tha se do të votonte për kandidatin demokrat Joe Biden.

Në një qendër votimi në Hjuston të Teksasit, Andy Valadez luante një instrument frymor duke pritur në radhë. Ai thoshte se muzika ishte një ritual për t’i uruar fitore Presidentit Trump.

“Po lutemi për zgjedhje të drejta,” thotë ky 55-vjeçar, i mbështjellë me flamur amerikan. “Ne besojmë tek ideali amerikan dhe duam që të gjithë të kenë mundësinë të votojnë në kushte sigurie”.

Tensione nga qendra e Nju Jorkut në Teksas

Qendra Amerikane për Liri Civile dhe grupe të tjera për liri civile thonë se po ndjekin me vëmendje nëse ka sinjale për kërcënim ndaj votuesve. Zyra e të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë tha se ka dërguar punonjës në 18 shtete.

Punonjës të Komitetit Avokat për Të Drejta Civile në Bazë të Ligjit, një grup aktivist me seli në Uashington, tha për gazetarët se janë të shqetësuar nga problemet teknike të makinave të votimit në tre komuna në Xhorxhia, gjë që ka detyruar votuesit të mbushin fletë-votime letre dhe ka krijuar shqetësim se mund të mbarojnë fletë-votimet prej letre./voa