Vjosa Osmani flet si Presidente: Serbia dhe Kosova nuk duhen barazuar, kurrë nuk mund të barazohet viktima me agresorin.

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sot për herë të parë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, të cilit iu konfirmuan aktakuzat për krime lufte, së bashku me Kadri Veselin.

Në një deklaratë për mediat, Osmani tha se ajo do ta ushtrojë këtë detyrë me korrektësi maturi, duke mbrojtur gjithnjë interestat e Kosovës.

Më tej ajo shtoi se Serbia dhe Kosova nuk duhen barazuar, pasi kurrë nuk mund të barazohet viktima me agresorin.

“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Ka kaluar sfida të shumta ndër vite, ndaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale. Ne jemi të vetëdijshëm që veprimet e dhomave të specializuara janë obligime shtetërore që vetë Kosova e ka pranuar. Proceset që vijnë pas, nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare. Beteja për shtetndërtim është më e vështira, ndaj dhe mencuria janë të nevojshme në këtë moment. Kërkohet lidership i fuqishëm. Sot ne kemi nevojë për solidaritet. Sot si president e deleguar, unë do të përkushtohem që ta ushtroj këtë pozicion duke i respektuar këto vlera. Do të sigurohem që zëri im të jetë me zërin e qytetarëve. Qendroni fortë afër njeri-tjetrit. Unë jam e bindur se si vend dhe të gjithë bashkë do të qendrojmë fortë. Ne s’kemi hequr dorë nga kultivimi i vlerave demokratike, pavarësisht sfidave. Serbia ka vrarë mbi 13 mijë njerëz në Kosovë, fëmijë gra e të moshuar. Ne kërkojmë që viktimat dhe agresorët të mos barazohen. Serbia ishte shteti që kreu krimet. Këtë duhet ta themi gjithmonë dhe me zë të lartë, kudo dhe kurdoherë. Zoti e bekoftë Kosovën”.