Yuri Kim: "SHBA-të mbështesin rolin jetik të gazetarëve, ata janë thelbësorë për demokracitë"

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, Yuri Kim u ka dalë në mbrojtje gazetarëve. "Thelbësor për demokracinë" i cilëson ajo duke thënë se SHBA mbështet rolin e tyre jetik në shoqërinë, ku vë theksin se nuk duhet të sulmohen apo kërcënohen sepse bëjnë detyrën .

Diplomatja amerikane nënvizon se, mbështet rolin jetik të gazetarëve në Shqipëri duke theksuar se, ata duhet të jenë burim llogaridhënies dhe informacionit.

"SHBA mbështesin rolin jetik të gazetarëve në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë. Ata janë burim i llogaridhënies dhe informacionit. Ata janë thelbësorë për demokracitë. Ata nuk duhet të sulmohen apo të kërcënohen sepse bëjnë pyetje të vështira dhe tregojnë faktet." Ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se, më shumë se 1500 gazetarë janë vrarë në të gjithë botën që prej fillimit të këtij shekulli dhe në më shumë se 85% të rasteve, vrasësit nuk janë dënuar.

Shqipëria nuk ka pasur raste ekstreme të dhunës ndaj gazetarëve, por kohët e fundit ka hapur debat paketa “anti-shpifje” që qeveria fillimisht miratoi në Parlament por që më pas u kthye për rishikim nga Presidenti.

Tashmë qeveria është zotuar se do të marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias pas trysnisë së opinionit publik vendas dhe ndërkombëtarë se cenohet liria e medias dhe fjala e lirë.