Aforizma mbi populizmin dhe nacionalizmin, identitetin dhe imazhin, diplomacinë publike dhe median

Prof. Lisen BASHKURTI

 Populizmi

-Populizmi është abuzimi më i madh me popullin.

-Populizmi është përpjekje për të sensibilizuar njerëzit e thjeshtë që ndjehen të shpërfillur nga grupet e instaluara elitare.

-Nuk është populli që krijon populizmin, por janë populistët që mashtrojnë popullin.

-Populistët prekin ndjesitë e parealizuara të njerëzve të thjeshtë për të ngritur mbi to doktrinën e lugës bosh.

-Në cdo kohë ka prirje për populizëm, sepse në cdo kohë ka njerëz të thjeshtë të zhgënjyer nga jeta.

-Populizmi është flakë kashte që as nuk ngroh dhe as nuk ndrin, por vetëm bën tym dhe ndot.

-Populizmi është protestë kundër elitave që harrojnë se nga vijnë.

-Populizmi trazon ujrat e politikës që kjo e fundit të pastrojë ujrat e ndotur prej saj.

 

Nacionalizmi

-Nacionalizmi është mbivlerësim i identitetit nga një kombi dhe nënvlerësimi i kombeve të tjerë.

-Nacionalizmi mbron interesa të skajshme të një kombi përmes perjashtimit të interesave të kombeve të tjerë.

-Nacionalizmi është kompleks superioriteti mbi kombet e tjerë.

-Nacionalizmi është megalomani që mbivlerëson veten dhe nënvlerëson të tjerët.

-Nacionalizmi është doktrina e lakmisë që gërryen themelet e bashkëjetesës midis kombeve.

-Nacionalizmi prodhoi shtetin jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe për të sunduar dhe dominuar të tjerët.

-Nacionalizmi dhe individualizmi ngjajnë si dy pika uji nga dashurimi i vetevetes dhe urrejtja ndaj të tjerëve.

-Nacionalistëve mbeturinat e veta i duken vlera, dhe vlerat e të tjerëve i duken mbeturina.

-Ndeshjet midis nacionalizmave përfundojnë me një pirg kufomash dhe gërmadhash.

 

Imazhi ndërkombëtar

-Imazhi ndërkombëtar është përceptimi i botës për një identitet kombëtar të dhënë.

-Përceptimi ndërkombëtar jeton paralelisht me identitetin kombëtar real.

-Përceptimet ndërkombëtare janë stereotipe rezistente që i bashkëshoqërojnë identitetet për një kohë të gjatë, e në jo pak raste përgjithnjë.

-Imazhi ndërkombëtar është përceptim që ecën paralelisht me identitetin e kombit, që herë i afrohet e herë i largohet, por shumë radhë përputhet.

-Imazhi i dëmtuar ndërkombëtar nuk shërohet me ndërhyrje mbi të, por me ndërhyrje mbi identitet.

-Përpjekjet për të përmirësuar imazhin pa ndërhyrë në thelbin identitar janë propogandë që krijojnë iluzione të përkohëshme, pas të cilave imazhi përkeqësohet akoma më shumë.

-Rruga për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar fillon me përmirësimin e identitetit.

-Imazhi nuk është zbukurimi i vetvetes në pasqyrë, por pasqyra e zbukuruar përballë të tjerëve.

-Liderët që investojnë në imazhë, pa investuar në identitet kombëtar janë mbretër lakuriq përballë botës.

-Imazhi propogandistik është plaka e shëmtuar që bën kozmetikë për tu rinuar, por që bën karikaturën e vet.

-Në marrëdhëniet ndërkombëtare më shumë njihet imazhi ndërkombëtar sesa identiteti kombëtar.

-Përkujdesjet për imazh lypet të shoqërojnë përpjekjet identitare.

 

Diplomacia publike dhe media

-Midis identitetit kombëtar dhe imazhit ndërkombëtar të tij qëndron diplomacia publike, me misionin që t’i afrojë sa më shumë ato.

-Në epokën e informacionit, komunikimit e rrjeteve sociale diplomacia publike është ura më e fuqishme midis identitetit kombëtar dhe imazhit ndërkombëtar.

-Media është aleatja më e mirë e diplomacisë publike për afrimin e identitetit kombëtar me imazhin ndërkombëtar.

-Diplomacia publike pa media është memece.

-Media pa diplomacinë publike është e cekët.

-Diplomacia publike pa media vuan mungesën e fakteve të reja dhe dinamiken e terrenit.

-Media pa diplomacinë publike vuan thellësinë e analizës së fakteve dhe përgjithësimin.

/argumentum.al

© Argumentum