Ambasada amerikane bën thirrje për respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ky reagim vjen pas vendimit të 21 dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Sipas saj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Më tutje në reagimin e ambasadës të martën është thënë se autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që qytetarët e Kosovës “të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe paqësore”.