Anketimi suedez/ Ministri Çuçi : “Policia e Shtetit është sot apolitike, dhe shumë më tepër e besueshme nga publiku"

Qytetarët shqiptarë kanë rritur besimin tek Policia e Shtetit, pasi 66% e publikut mendon se Policia e Shtetit i trajton njerëzit me respekt në Shqipëri, shifër kjo që ka qenë 29% në vitin 2013. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka prezantuar gjetjet e anketimit të qeverisë suedeze mbi perceptimin e publikut për Policinë e Shtetit.

“Komunikimin e parë si ministër i Brendshëm me publikun ta bëj e ta paraqisja personalisht këtë barometër, rezultate të sondazhit për arsye se si gjithë shqiptaret, unë në këtë pozicion dhe si anëtar i qeverisë ndihem shumë mirë që perceptimi për punën e bërë nga policia që prej 2013 e deri më sot është jashtëzakonisht pozitiv”,- tha ai.

“Sondazhi vjen në një moment specifik se javën e fundit kemi përjetuar një situatë jo të zakonshme nga një rast krejt i veçuar që s’ka lidhje me trajektoren e punës së policisë por nxori në sipërfaqe atë kategori njerëzish apo personazhesh publikë që s’lënë rast pa hedhur baltë mbi punën e policisë dhe qeverisë”,- theksoi Çuçi.

“Policia e Shtetit është sot shumë më tepër apolitike, jo e varur, shumë më tepër e besueshme nga publiku  i cili e sheh me shumë më tepër respekt punën e policisë, që prej 2013″, u shpreh ministri.

“66% e publikut mendon se Policia e Shtetit i trajton njerëzit me respekt në Shqipëri. Këtë shifër e kemi patur 29% në vitin 2013. Ky është ndryshimi. Shikoni barometrin se si ka ndryshuar ky perceptim dhe se si qytetarët ndihen më të respektuar. Ndryshim spektakolar ky”,- theksoi Çuçi.

“66% e publikut sot mendon se Policia e Shtetit punon mirë ose shumë mirë. Kjo shifër ishte 36% në vitin 2013. Është dyfish gati numri qytetarëve që shprehen se puna e Policisë ka qenë e mirë ose shumë e mirë”,- shtoi Çuçi. “80% e publikut ndihet i sigurtë kur është duke ecur vetëm në lagjen  e tij, kur është errësuar. Kjo shifër është shumë e afërt me mesataren e vendeve të zhvilluara të BE, që rezulton 81%, ndërkohë që në vitin 2013, Shqipëria këtë mesatare e kishte 63%, ose 17%  më pak se sot”,- tha Çuçi.

Lidhur me rryshfetet në Polici, Çuçi tha se “në 2013 ishte 74%, pra kaq qytetarë pranojnë se policët kërkojnë ryshfet, ndërsa sot jemi vetëm 57%”.

“Publiku e vlerëson Policinë e Shtetit me notë mesatare 54. Ka përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin 2013 kur ishim në të njëjtin nivel me Ukrainën, 74%. Sot jemi disa vende pranë mesatares së BE-së”, u shpreh Çuçi.

“63% e shqiptarëve janë shprehur se ndihen rrallë ose asnjëherë të shqetësuar se do mund t’i vidhet shtëpia, nëse largohen nga banesa e tyre. 52% ishte kjo shifër në vitin 2018. Ndërkohë që 75% e shqiptarëve nuk ndihen të shqetësuar se mos bien viktimë e ndonjë krimi të dhunshëm, kjo shifër ishte 66% në vitin 2018”,- u shpreh Çuçi.

Referuar sondazhit, ministri tha se Policia e Shtetit është sot shumë pak më e varur nga politika dhe perceptimi mbetet një aspekt shumë i rëndësishëm me publikun. “Kemi lënë pas vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja apo Franca sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit”,- tha Çuçi.

“Përsa i përket kohës se sa shpejt mbërrin Policia e Shtetit në vendngjarje, ndryshe nga viti 2013 kur ishim të fundit në Europë, pasi vetëm 42% mendonin se policia do të arrinte jashtëzakonisht shpejt në vendin e ngjarjes, sot jemi në nivelin 59%, pranë vendeve si Holanda e Lituania dhe shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian, 67%. Kjo nuk është fare e rastësishme, por vjen si rezultat edhe i investimeve në infrastrukturën e domosdoshme, siç është flota e rinovuar e mjeteve, komisariati dixhital”, u shpreh ministri.

Ndërkohë. drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu ka pasqyruar rezultatet me shifra në 3 vitet e fundit që kanë ardhur drejt përmirësimit.

”Ndihemi të vlerësuar për konkluzionet e studimit, për ndjesitë e publikut, sjelljen e Policisë, transparencën e përgjegjshmërinë”,- tha Veliu

“Desha të ndalesha në veprimtarinë e Policisë që ka sjellë rezultatet e dëshiruara. Përveç prioriteteve kombëtare, Policia i ka kushtuar vëmendje policimit në komunitet. Duke ngritur struktura afër komunitetit. Zyrat e pritjes së qytetarëve janë rikonstruktuar, ose janë ribërë, janë përmirësuar normat e procedurat e punës, dhe shërbimi ndaj publikut.”,- shtoi ai

“Të gjitha këto kanë sjellë përmirësimin e kënaqësisë së publikut, ku 80% e të anketuarve ndjehen shumë të sigurt apo të sigurt. E nevojshme të ndalemi tek treguesit konkret që lidhen me sigurinë e qytetarëve. Vrasjet me dashje, nga 102 në 11 mujorin e parë të 2013, në 52 në 2019, dhe 45 në 2020. Vjedhje me pasojë vdekjen nga 6 raste në 2013, asnjë rast 2019, asnjë rast 2020 në 11-mujorët më parë. Vitet 2018, 2019, 2020 kanë qenë vite sfidash, pasi është përballur me sfida si mbarëvajtja e zgjedhjeve, pandemisë, turizmit dhe protestave. Policia ia doli të përballet me sfidat duke vendosur standarde të larta për sjelljen e Policisë. Kjo prek kualifikimit, trajtimit, por edhe marrjen e masave dhe mbajtjes së qëndrimit të punonjësve të Policisë që kanë shfaqur të meta.”,- tha Veliu.

“65%e qytetarëve thonë se policia i trajton njerëzit me respekt, dhe 60% se është e paanshme, duke rikuperuar me 8% nga viti 2018. Rezultatet e këtij studimi janë më pozitive se në 2018. Ashtu siç e përmenda dhe më lart se ky studim do i vlejë policisë për masat e mëtejshme në të ardhmen. Vërehet se disa tregues ka rënie të lehtë. Edhe pse treguesit janë përmirësuar dukshëm janë poshtë mesatares së BE. Do të analizohen shkaqet.”- tha Veliu.