Covid-19/ Kongresi amerikan miraton një paketë ndihme prej 900 miliardë dollarësh

Kongresi amerikan miratoi një projektligj që përfshin një paketë ndihme prej 900 miliardë dollarësh për të përballuar efektet e koronavirusit si dhe një buxhet prej 1.4 trilionë dollarësh për këtë vit financiar.

Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati e miratuan projekligjin me shumicë dërrmuese të hënën në mbrëmje. Ligjvënësit, të cilët kishin vetëm disa orë në dispozicion për të shqyrtuar projektligjin prej 5 mijë faqesh, përballeshin me një afat që skandonte në mesnatë, pas të cilit fondet për qeverinë mbaronin.

Presidenti Donald Trump pritet ta nënshkruajë projektligjin në ditët në vijim.

Kjo masë legjislative vjen pas disa javë negociatash gjatë të cilave udhëheqësit demokratë e republikanë u përfshinë në debate rreth sasisë se ndihmës qeveritare për koronavirusin si dhe nëse vëmendja duhej përqëndruar në çështje të tilla si asistenca në rast papunësie, apo mbajtja e ekonomisë hapur.

Ky zhvillim vjen ndërsa numri i infeksioneve me COVID-19 është rritur. Sipas universitetit Johns Hopkins, që nga fillimi i pandemisë Shtetet e Bashkuara regjistrojnë më shumë se 18 milionë raste të konfirmuara me COVID-19, duke shtuar më shumë se 200 mijë raste të reja në ditë ndërsa numri i vdekjeve ka arritur në më shumë se 319 mijë.

Një nga pikat kryesore të ligjit është një pagesë direkte prej 600 dollarësh për amerikanët që marrin më pak se 75 mijë dollarë në vit. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se miliona vetë do t’i marrin çeqet duke nisur nga java e ardhshme. Në një projektligj më masiv që synonte përballimin e pasojave të koronavirusit të miratuar në muajin mars pagesat direkte për amerikanët ishin në nivelin e 1,200 dollarëve për person.

Projektligji i ri përfshin gjithashtu 284 miliardë dollarë për Programin e Garantimit të Rrogës, një iniciativë që synon të ndihmojë bizneset të mbajnë punonjësit në punë gjatë kësaj periudhe të vështirë ekonomike për shkak të pandemisë.

Paketa parashikon një pagesë prej 300 dollarësh në javë për ata që marrin asistencë në rast papunësie. Ndihma do të zgjasë 11 javë. Po kështu parashikohen 82 miliardë dollarë për shkollat dhe universitetet lokale, 25 miliardë dollarë ndihmë për qiratë, 15 miliardë dollarë për qendra e argëtimit sikurse kinematë dhe 10 miliardë dollarë për kujdesin për fëmijët. Pakata përfshin edhe 4 miliardë dollarë ndihmë për vendet e tjera në përpjekjet e tyre për vaksinim kundër COVID-19-s.

"Populli amerikan duhet të jetë i sigurt se ndihma po vjen", tha udhëheqësi i Shumicës së Senatit Mitch McConnell.

Demokratët kishin kërkuar miratimin e një paketë lehtësuese shumë më të madhe. Në muajin maj Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një paketë prej 3 trilionë dollarësh dhe në tetor një variant tjetër prej 2 trilionë dollarësh, por republikanët e kundërshtuan.

Ndërsa Presidentin e zgjedhur Joe Biden pritet të marrë zyrtarisht detyrën në janar, demokratët thonë se projektligji i ri i ndihmave është vetëm një hap i parë i asaj që do të vijë.

"E përshëndes këtë paketë lehtësimi, por puna jonë nuk mbaron këtu", shkruante zoti Biden në Twitter të martën herët në mëngjes. "Duke filluar nga viti i ri, Kongresi do të duhet të fillojë menjëherë të punojë për mbështetjen e planit tonë për COVID-19", shkruante ai më tej.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat Chuck Schumer tha se kushdo që e konsideron ndihmën e re si të mjaftueshme "nuk ka dëgjuar dëshpërimin në zërat e zgjedhësve, nuk ka parë sytë e pronarve të biznesit të vogël në prag të shkatërrimit".

Në komentet e tij për agjencinë Associated Press, zoti McConnell, tha se republikanët do të shohin çdo të ndodhë për të vepruar më tej.

"Pikëpamja ime për atë që vjen më pas është le ta vlerësojmë situatën bazuar në nevojat me të cilat do të përballemi në shkurt dhe mars", u shpreh ai.

Çdo raund i ri shpenzimesh do të varej shumë nga dy gara balotazhi për Senatit që zhvillohen në shtetin e Xhorxhias më 5 janar. Rezultati i tyre ose do t’u garantonte republikanëve kontrollin e Senatit ose do t'u jepte demokratëve avantazhin e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit si dhe të Shtëpisë së Bardhë.

Buxheti prej 1.4 trilionë dollarësh financon qeverinë deri në shtator.

Në të përfshihet edhe një zgjatje e lehtësirave tatimore për bizneset për vitin e ardhshëm, 45 miliardë dollarë për transportin, përfshirë mbështetjen për operatorin hekurudhor Amtrak dhe 13 miliardë dollarë për programin e ndihmave ushqimore, duke garantuar një zgjerim të madh të tij./voa