Dita e tretë e protestës, pas SHBA-së reagon ambasada e BE, gjermane dhe franceze

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ka reaguar për dhunën në protestën e të rinjve, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Soreca shkruan se dhuna duhet të shmanget në çdo rast dhe nga të gjitha palët.

Ai shprehet i pikëlluar për ngjarjet e ditëve të fundit dhe shpreh ngushëllimet për familjen e Klodian Rashës.

"Shumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit. Mendimet e mia janë me familjen e Klodian Rashës. Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët",- shkruan Soreca.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf i ka bërë thirrje palëve që të heqin dorë nga dhuna. ”Edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”,-thotë Zingraf.

Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht.

Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës. Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci.

Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna.

Po ashtu Ambasada franceze nëpërmjet ambasadores Elisabeth Barsacq ka reguar për vrasjen e Klodian Rashës, duke i shprehur ngushëllime familjarëve.

Barsacq ka bërë thirrje për mospërdorim të dhunës, ndërkohë që ka treguar se po monitorohet situata.

Po monitorojmë nga afër situatën e krijuar për shkak të vdekjes së Klodian Rashës, në rrethana që janë objekt i një hetimi gjyqësor. Ngushëllime nga Ambasada franceze shkojnë së pari për familjen e të riut.

Respektimi i të drejtës për të demonstruar është thelbësor. Është gjithashtu thelbësore që të mos përdoret dhuna. Përdorimi i forcës publike duhet të jetë gjithmonë i mbikëqyrur dhe proporcional”, shkruan ajo.

Kujtojmë se më heret reagoi dhe ambasada amerikane ku beri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë.”

© Argumentum