Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë për Epideminë/ OBSH: COVID-19 nuk do të jetë pandemia e fundit në botë

“COVID-19 nuk do të jetë pandemia e fundit që do njohë bota, por duhet të investojmë në përgatitjen e kapaciteteve tona për t’u përballur me pandemi të tilla” kështu është shprehur të shtunën drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Deklarata e Tedros erdhi gjatë një fjalimi virtual që shënoi për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Gatishmërisë për Epideminë, e cila do të mbahet çdo vit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalës së tij, kreu i OBSH tha se “COVID-19 ka çoroditur botën” duke lënë “pasoja afatgjata për shoqëritë dhe ekonomitë e vendeve”, duke shtuar se bota duhet të mësojë nga mësimet e së shkuarës duke qenë më të përgatitur.

“Çdo përpjekje për të përmirësuar shëndetësinë do të dështojë nëse nuk adresohet pika kritike që bashkon humanët dhe kafshët, si dhe krizën ekzistenciale të ndryshimeve klimatike që po e bën tokën gjithmonë e më pak të banueshme. Historia na ka treguar se kjo nuk do të jetë pandemia e fundit e se epidemitë janë fakt i jetës. Por investimet në shëndetin publik, me mbështetjen e të gjithë qeverive dhe shoqërive për një qasje të përbashkët për shëndetin (One Health), mund të garantojnë që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre të trashëgojnë një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, tha Tedros.