"Drejtësi për Klodianin"/ Qindra qytetarë protestojnë para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë

Ka nisur protesta e qytetarëve para ministrisë së Brendshme, të cilët janë mbledhur për të protestuar për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra në orët e para të mëngjesit të dhjeshëm nga një efektiv policie. Një proteste e organizuar nga vete qytetarët në rrjetet sociale ka mbushur bulevardin si asnjëherë tjetër.

Me pankarta në duar, qytetarët kanë bërë thirrje për drejtësi, ndërsa nuk kanë munguar as sharjet në drejtim të qeverisë.“Poshtë komunizmi”, “Unë jam Klodiani”, “Drejtësi për Klodianin” ishin disa nga thirrjet e protestuesve, që tashmë janë grumbulluar para ministrisë, e cila është e rrethuar nga kordone policore.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm janë konfrontuar fizikisht me forcat e Policisë, ndërsa paraprakisht raportohet se një punonjës i policisë ka mbetur i plagosur.

Qindra protestues kanë qëlluar me sende të forta duke thyer xhamat e Ministrisë, teksa kanë brohoritur duke kërkuar dorëheqjen e Sandër Lleshajt. Në një moment, protestuesit kanë tentuar të shqyejnë derën duke tentuar të hyjnë brenda godinës.

Protestuesit mbërrijnë te dera Kryeministrisë, tre furgona të FNSH-së me urgjencë drejt tyre! Rrethohet godina (PAMJET)

Ata fillimisht tentuan të hyjnë brenda ambienteve të ministrisë së Brendshme, ndërsa vazhdimisht lëshuan thirrje për largimin e ministrit Sandër Lleshaj. Protesta e tyre ka ardhur si rezistencë pas vrasjes së 25-vjeçarit Kodian Rashës dje nga një efektiv i forcave “Shqiponja”.

Aktualisht një pjesë e protestuesve janë zhvendosur drejt godinës së kryeministrisë për të vijuar rezistencën qytetare si kundërpërgjigje për vrasjen e 25-vjeçarit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, si dhe institucioni i Avokatit të Popullit kanë bërë apel për zbardhjen e ngjarjes.

Screenshot_10_copy.png