Familja Rasha letër publike: Presim nga shteti ta garantoje drejtësinë në gjykatë, jo nga dhuna politike

Në ditën e katërt të  protestës  pothuajse në qytetet më të mëdha të Shqipërisë, ku nuk kanë munguar dhe episodet e dhunshme pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga policia, vetë familja Rasha përmes një letre publike bën thirrje që të ndalen veprimet e dhunshme në emër të tij.

“Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij. Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhtë as hasmit! Por ato që po shohim të ndodhin pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme. Djalit tonë ja mori jetën arma e një polici dhe ne duam drejtësi deri në fund për jetën humbjen e tij. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici, nuk sjellin drejtësinë po vetëm padrejtësi të tjera.

Ne i jemi pranë familjes së policit që rrezikon të humbë sytë dhe i lutemi të gjithë djemve të rrëmbyer nga inatet e politikes te mos manipulohen nga politika. Politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësinë po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe shqetëson mburrë popullin shqiptar. Ne dëshirojmë shumë që vdekja e tmerrshme e djalit tonë të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi.

Por e drejta duhet te shkoje në vend në gjykate dhe ne e presim nga shteti ta garantoje drejtësinë, jo nga dhuna politike. Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe te mos i hedhin benzine zjarrit për interesin e tyre. Duam ti falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madh dhe ua shpërblefshim veç në gëzime! Të shkuara policit të plagosur dhe veç te mira pastë bashke me prindërit dhe familjen e tij”, thuhet në letrën e plotë.

© Argumentum