Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë, Hoti: Kuvendi të mos shpërndahet pa miratuar buxhetin e vitit 2021

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka folur për herë të parë që pas rrëzimit të Qeverisë Hoti.

Në një konferencë për media, Hoti ka bërë thirrje që të mos shpërndahet Kuvendi pa u miratuar buxheti për vitin 2021.

“E kam theksuar në takim me komunitetin e biznesit dhe edhe këtu para jush bëj thirrje që të mos shpërndahet Kuvendi pa u miratuar buxheti për vitin 2021, sepse pako e rimëkëmbjes është e lidhur edhe me disa marrëveshje ndërkombëtare, që kemi nënshkruar dhe pritet ratifikimi i tyre, sidomos në fushën e shëndetësisë”, ka thënë Hoti në konferencë për media.

Tutje ai shtoi se do të vazhdojnë punën si Qeveri në detyrë, sipas obligimeve që jep Kushtetuta.

“Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë. Është obligim kushtetues që të shpallim datën e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues. Ne do t’i kryejmë obligimet tona. Do të jemi në krye të detyrës për t’u marrë me obligimet qe i kemi karshi qytetarëve të vendit. Për të cilët kemi treguar rezultate të mira”, tha Hoti.

Në pyetjen e gazetarit të RTK-së nëse e ka pritur një vendim të tillë të Gjykatës Kushtetueses, kryeministri në detyrë është shprehur: “Nuk më takon mua ta komentoj këtë çështje. I pranoj vendimet e Kushtetueses pa i komentuar fare”.

Tutje ai sqaroi se në institucionet që kanë u.d. emërimet do të bëhen në përputhje me ligjet në fuqi, derisa përmendi sukseset e qeverisë që ai ka udhëhequr.

“Kjo qeveri ka ndërruar komplet kursin politik në raport me ndërkombëtarët”, ka shtuar kryeministri në detyrë Hoti.