Gjykata Kushtetuese /Yuri Kim: Duhet bashkëpunim urgjent mes Presidencës, KED-së dhe Parlamentit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur betimin e Altin Binajt para presidentit Ilir Meta si anëtar i pestë i Gjykatës Kushtetuese.

Ajo thotë më tej se bërja e Gjykatës Kushtetuese funksionale brenda 31 dhjetorit është brenda mundësive, dhe për këtë shton znj.Kim duhet bashkëpunim urgjent mes Presidencës, KED-së dhe Parlamentit.

"Urime Altin Binaj për betimin e tij si gjyqtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese. Faleminderit Presidentit Ilir Meta për mundësimin e këtij zhvillimi pozitiv. Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor është brenda mundësive, falë veprimit dhe bashkëpunimit urgjent nga Presidenca, KED dhe Parlamentit", shkruan ambasadorja Yuri Kim.

Gjykata Kushtetuese aktualisht ka pesë anëtarë, ndërsa bërja funksionale e saj kërkon të paktën gjashtë të tillë. Radha për të zgjedhur anëtarin e gjashtë tashmë i takon Presidentit të Republikës, kurse pritshmëritë e SHBA-së dhe BE-së janë, që ky institucion, të ngrihet dhe të bëhet funksional brenda 31 dhjetorit 2020.