Greqia miraton dekretin për zgjerimin deri në12 milje në detin Jon

Greqia ka miratuar dekretin për zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Dekreti presidencial është miratuar pasi u paraqit në Gjykatën Supreme nënshkruar nga Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Sipas “Protothema”, zgjerimi i ujërave territoriale në zonën e detit  Jon, në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për Ligjin e Detit, përkthehet automatikisht në një Zonë Ekonomike Ekskluzive (EEZ), pra në një zonë detare në të cilën një shtet ka të drejtë të hulumtojë ose shfrytëzojë burimet detare  përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit.

Media helene shkruan; “Qeveria Greke po i dërgon një mesazh Turqisë pas dritës jeshile të dhënë nga Këshilli i Shtetit për shtrirjen e ujërave territoriale nga 6 në 12 milje detare në Ishujt Jon dhe në Kepin Tainaro në Peloponez”.

Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon, hapin rrugën për hartimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Referuar medias greke, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në Tiranë, dhe takimit që ai pati me kryeministrin Edi Rama