KE akordon 70 milionë euro për Ballkanin Perëndimor për financimin e vaksinave ndaj Covid-19

Komisioni Europian, sapo ka miratuar një paketë prej 70 milionë eurosh për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat Covid-19 të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së.

”BE-ja ka treguar që ne i trajtojmë vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë që në fillim hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin e rëndësishëm dhe grupet më të prekshme në rajon. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar për përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”,-tha komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhely.

BE-ja vazhdon të mbështesë nismën COVAX, struktura botërore për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat Covid-19, dhe gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE. Qasja në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE-së do t’i mundësojë rajonit të nisë vaksinimet paralelisht me shtetet anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë gjithashtu rajonin për finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për të siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave.