Kina, mjedisi dhe përgjegjshmëria globale

Nga Dr. Marsela Musabelliu*

Studimet mjedisore dhe degët e ndryshme të lëvizjes ambientaliste shpesh klasifikohen në dy kampe intelektuale: ato që konsiderohen antropocentrike, ose "me në qendër njeriun", dhe ato që konsiderohen biocentrike, ose "me në qendër natyrën ". Por sa më shumë vitet kalojnë, aq më tepër kuptohet se të dy rrymat dhe realitetet nuk mund të mbijetojnë pa mbrojtjen e njëra-tjetrës.  Në vitet e fundit biocentrizmi po njeh përherë e më shumë elementin njerëzor, rrrjedhimisht edhe interesin kombëtar.

Ndër teoricienёt e marrëdhёnieve ndërkombëtare është folur shumë për përgjegjësinë në politikën botërore. Në veçanti, alokimi i përgjegjësisë ka qenë thelbësor në negociatat ndërkombëtare për klimën, në të cilën parimi i përgjegjësive të përbashkëta u nënvizua si një nocion bazë dhe udhëzues. Por, përgjegjësia është një koncept i gjerë dhe çfarë nënkupton ajo në politikën botërore në veçanti mbetet për t’u konsoliduar si normë dhe si ide. Megjithëse shumë akademikё kanë pranuar që përgjegjësia e një shteti ndalet në kufirin kombëtar, disa kanë filluar të vënë në dyshim atë supozim duke futur pyetje në axhendën kombëtare dhe duke thënë se fuqitë e mëdha sidomos, duhet të respektojnë edhe pikëpamjet dhe interesat e të tjerëve.

Në vitin 1995 Presidenti Bill Clinton shprehte se Kina duhet të bëhet një fuqi e madhe e përgjegjshme, njё fuqi që integron veten në institucionet ekzistuese ndërkombëtare dhe bëhet një udhëheqëse në zgjidhjen e problemeve globale. Por këto përgjegjësi nuk janë të paracaktuara, ato janё pritshmëri të ndërtuara nga shoqëria në një periudhë të caktuar, të zhvilluara në mënyrë implicite dhe eksplicite, në të ashtuquajturin 'klubi i Fuqive të mëdha'. Udhëheqësit kinezë në atë kohë debatonin mbi kursin e tyre të ardhshëm dhe detyrimet ndaj botës, ndërsa prioriteti ishte mirëqёnia e popullit të tyre. Gjatë dy dekadave të fundit, Kina ka bërë përparim të madh në integrimin e saj në mekanizmat ekonomikë dhe politikë ndërkombëtarë. Sa më ngushtë Kina integrohet në këto mekanizma, aq më e gatshme tregohet të luajë një rol të përgjegjshëm në bashkësinë ndërkombëtare.

Bazuar në premisën, që fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi unike, ngritja e Kinës në statusin e fuqisë së madhe transformon nocionet e përgjegjësisë dhe politikën ndërkombëtare të klimës në veçanti. Çështja e rolit të Kinës si një fuqi e përgjegjshme ka implikime në botën reale, për diplomacinë dhe trajektoren e saj, si dhe përgjigjet e shteteve që duhet të përshtaten me këto transformime në rrafsh botëror.

Kina vlerësohet sot si një aktor kryesor në politikën botërore, me pritjet në rritje që ajo do të bëjë më shumë për të adresuar sfidat globale. Por, si e sheh veten Kina si një fuqi të madhe dhe si i kupton detyrimet e saj ndaj botës?

Megjithëse përparësia fillestare e Kinës pas reformave të nisura në 1978 ishte zhvillimi ekonomik, në fillim të shekullit u vu re se një rritje e tillë e shpejtë ekonomike kishte shkaktuar probleme të ndryshme mjedisore. Si pasojë, udhëheqësit e Kinës filluan t'i kushtojnë më shumë vëmendje drejtësisë shoqërore dhe përgjegjshmërisë humanitare në këtë kontekst. Një nga indiciet e para dhe shprehimisht të deklaruara ishte sllogani "njerëzit të parët" i cili u formëzua si parimi kryesor i kontratës sociale midis popullit kinez dhe udhëheqësve të tyre politikë.

Që nga fillimi i administratës së Xi Jinping në 2013, zhvillimi i një civilizimi ekologjik ka marrë vëmendje të gjerë nga elita politike e Kinës. Në pranverën e vitit 2015, Këshilli i Shtetit në mënyrë të të qartë ngriti konceptin në statusin e një udhëzimi të shquar strategjik për t'u integruar në planet ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore i quajtur ‘Opinioni mbi Përshpejtimin për Nxitjen e Qytetërimit Ekologjik’.

Në vitin 2017 Presidenti Xi, në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste Kineze, vendosi një theks të papreçedent në çështjet mjedisore, duke promovuar jo vetëm zhvillimin e gjelbër dhe ndërtimin e civilizimit ekologjik, por gjithashtu duke kërkuar që Kina të bёhet pjesë integrale e botës për të mbrojtur mjedisin. Ai gjithashtu mbrojti shprehimisht rëndësinë e ruajtjes së mjedisit duke shkruar:

“Njeriu dhe natyra formojnë një bashkësi të jetës .... Vetëm duke respektuar ligjet e natyrës njerëzimi mund të shmangë gabimet e kushtueshme në shfrytëzimin e saj. Çdo dëm që i shkaktojmë natyrës, përfundimisht do të kthehet të na përndjekë. Ky është një realitet me të cilin duhet të përballemi.”

Fakti që mjedisi është prioritet i Presidentit Xi, vërtetohet edhe me deklaratat e tij para 15 vitesh; në fakt, kur ishte sekretari i Komitetit Krahinor në provincën Zhejiang, duke vizituar një fshat  relativisht të vogël (Jucun), ai ka shprehur për vendasit se: ‘Dikur dëshironim male me ar dhe argjend. Në fakt, ujërat e kthjellët dhe malet e harlisura mund të jenë po aq të çmuara sa malet prej ari dhe argjendi’. Duke mishëruar qëllimet për të ardhmen, këto fjalë të 2005-ës, ilustrojnë të menduarit e tij mbi qeverisjen kombëtare. Në Prill të këtij viti, Presidenti Xi u kthye në fshatin Jucun, duke thënë se kujdesi për mjedisin mbart përfitime të mëdha dhe duke shprehur se ambienti në vetvete nënkupton ekonominë. Por, çfarë do ketë më shumë impakt në nivel botëror është zotimi i Kinës se deri në vitin 2060 vendi do të arrije fazën e “neutralitetit të karbonit”. Ky fakt përbën elementin më të dukshёm se Kina është gati për realizimin e një zhvillimi të gjelbër dhe të qëndrueshëm, duke u hedhur kështu zyrtarisht në fazën tjetër zhvillimore, një fazë ku zhvillimi cilësor është po aq i rëndesishëm sa ai sasior.

Po të kthejmë vështrimin në zhvillimet e mëdha ekonomike botërore ndër shekuj, shihet pa asnjё dyshim se çdo industrializim i një shteti në shkallë të gjërë ka mbartur kosto të paçmueshme ekologjike. Por, edhe kur u themelua Organizata e Kombeve te Bashkuara (OKB), çështjet mjedisore nuk ishin shqetësimi kryesor i shoqërisë ndërkombëtare. Në fakt, Karta e OKB nuk përmend aspak mjedisin. Kur shqetësimi për klimën u shfaq në nivel global, kjo nuk ishte për shkak të një faktori të vetëm, por për shkak të shumë indicieve kritike. Në fakt konferenca e parë ndërkombëtare mbi mbrojtjen e mjedisit, u zhvillua në Stokholm 1972, aty filloi edhe “politizimi” ndërkombëtar i çёshtjeve mjedisore. Si pasojë, kur koha dhe zhvillimet e brendshme ishin të volitshme që Kina të fillonte zhvillimin në shkallë të gjerë të industrive të saj (1978) nga Kina kërkohej më shumë! Kërkohej qё zhvillimi dhe idustrializimi masiv të kish kufizime. Mjafton të kujtojmë se Revolucioni Industrial i fali Mbretërisë së Bashkuar pafundësi progresi; e më tej industrializimi i gjithë Europës perëndimore dhe SHBA-ve u bë në kurriz të mjedisit. Konferenca e fundit në rang global ka qënë Marrëveshja e Parisit në 2015 (nga e cila SHBA u largua gjatë adminstratës Trump në 2019), një marrëveshje shumë ambicioze e cila kërkon transformime të mёdha ekomomike dhe sociale sidomos për vendet e zhvilluara (G20).

Mbrojtja e mjedisit ka filluar të marrë konsideratë mё të madhe se kurrë më parë. Duke pasur parasysh bindjet kineze që progresi teknologjik i kombinuar me efikasitetin, kërkesën dhe motivimin tregtar mund të zgjidhin problemet mjedisore, teknologjia e gjelbër dhe energjia e pastër po luajnë një rol kryesor në politikën klimatike të Kinës.

Duke zbërthyer politikën e fuqisë së madhe, historinë, ngjarjet dhe idetë prapa shfaqjes dhe evolucionit të identitetit të madh të Kinës, po duket përherë e me qartë se Kina është bërë një palë e përgjegjshme e interesit, duke demonstruar gatishmëri në rritje për të kontribuar në të mirat publike ndërkombëtare, duke përfshirë stabilitetin ekolgjik botëror.

*Executive Director

Albanian Institute for Globalization Studies (AIGS)

/argumentum.al

© Argumentum