Kosova dhe Turqia zotohen për bashkëpunim në ekonomi dhe mbrojtje

Turqia mbështet dialogun Kosovë-Serbi për të arritur marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, për të mirën e të dy vendeve, tha të hënën ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu pas një takimi në Ankara me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Turqi, Anadollu, Çavusoglu në një konferencë për media ka thënë se gjatë takimit u diskutua për raportet dypalëshe, në veçanti për lidhjet ekonomike mes dy vendeve, të cilat sipas tij, po zhvillohen “por ka ende hapësirë për përmirësim”.

Duke deklaruar se kompanitë turke ofrojnë punë për 10,000 njerëz në Kosovë, Çavusoglu tha se ata synojnë të rrisin këtë numër në të ardhmen.

Çavusoglu tha gjithashtu se ata diskutuan mënyra për të inkurajuar kompanitë për të rritur investimet turke në Kosovë dhe për të forcuar fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ushtarak.

Ndërsa, ministrja në detyrë, Haradinaj-Stublla tha përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, se në takim është diskutuar edhe për qasjen e Kosovës në vaksinën anti-COVID19. Sipas saj, Turqia ka ofruar mbështetje për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.