Kosova nënshkruan aplikimin zyrtar me “COVAX” për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka njoftuar të hënën se ka aplikuar për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit në aleancën globale GAVI-COVAX.

“Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, meqë synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19”, ka thënë Zemaj në njoftimin e bërë në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se Kosova synon të vaksinojë grupet e popullatës që janë më ekspozuara dhe më të rrezikuara nga koronavirusi, duke përfshirë, stafin shëndetësor, të moshuarit, personat me sëmundje kronike, personelin e shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe më pas edhe kategori tjera.

Çfarë është skema COVAX dhe si funksionon?

Aleanca COVAX u krijua në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së. COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të aleancës.

COVAX ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë. Paraprakisht, COVAX ka përllogaritur se kostoja e një doze vaksine do të jetë 10.55 dollarë.

Skema COVAX ofron dy lloje kontratash për vendet: marrëveshje paraprake për blerjen e vaksinës dhe marrëveshje opsionale për blerjen e saj. Të dyja marrëveshjet garantojnë qasje në portofolin e vaksinave të COVID-19 me çmimin që do të negociojë COVAX.