Kur dhunohesh e vritesh te "pragu" i shtëpisë…

Nga Marjana Doda

Në vigjilje të 8 Dhjetorit, ndërsa prisnim të ishte një ditë feste dhe reflektimi  për Shqipërinë dhe Shqiptarët, një lajm e tronditi këtë ditë jubilare.

Një djalë i ri u vra Ditën e Rinisë…

8 dhjetori do të na imponohej  dhunshëm në kujtesen tonë pikërisht 30 vite pas  Lëvizjes studentore në fund të vitit 1990, dhe vetem 48 orë para 72 vjetorit të  Deklaratës së Kombeve të Bashkuara mbi Të drejtat e Njeriut, ku në nenin 3 të saj thuhet: 

Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak

Fatkeqësisht  këtij djali 25 vjeçar në ditën e  rinisë në lule të rinisë iu  mohua e drejta për të jetuar!

Në orët e para të mëngjesit të dates 8 Dhjetor në Tiranë,  humbi jetën një 25 vjeçar.

Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica. Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital”, njoftonte policia  në orët e para të mëngjesit të 8 Djetorit”

Pas lajmërimit zyrtar të policisë së shtetit, u theksua se Klodian Rasha nuk ndaloi, por vrapoi në një rrugice të pandriçuar .

Une e di pse Klodiani vrapoi atë natë;

I gjendur jashtë orarit të lejuar, duke thyer  oren policiore dhe pa maske e dinte që ndalimi  para policisë do e “zhvishte“ atë para cdo të drejte, sepse fatkeqësisht vitet e fundit policia e shetit ka marrë superfuqi. Klodiani me siguri nuk donte ti conte një gjobë familjes së tij e aq më tepër ti shqetësonte  familjaret të degdisen nëpër komisariate për të kërkuar Klodianin.

PO! AI vrapoi, vrapoi drejt asaj rrugice pasi vetem pak metra më tutje ishte shtëpia e tij, streha e tij dhe siguria e tij,  por vrapin ia ndaloi një plumb i pabesë pas shpine.

Ai nuk  kishte armë, nuk ishte problematik dhe nuk kishte asnjë karekteristike të atij identikiti ku policia ia lejon vetës të drejtën edhe të të njollose duke justifikuar kështu veprimet apo mosveprimet e tyre.

E pra, njollosja dhe përbaltja e emrit  që u tentua ti bëhet viktimes ishte pikërisht ajo që revoltoi të gjithë të rinj e të reja. Revolta, zemërimi, ndaj policisë nuk është ndaj  figures së policit por ndaj kostumit politik që i është veshur atyre viteve të fundit. Protesta është për Klodianin, në emër të Klodianit por dhe modelit të Klodianit, që të pakten një herë në jetë janë gjendur të pambrojtur përballë policisë.  Eshtë protesta kundër dhunës, kundër mohimit të drejtave të njeriut, është protesta për të vrarë frikën.

Ndërsa derdhen rrugëve të Tiranës, tashmë prej një jave, policia nuk është tërhequr aspak, por me të njëjtin intensitet tregon “muskujt” përballë disa fëmijëve që qëllojnë me gurë apo dhe të rinj e të reja që guxojnë e protestojnë.

Gurëve, policia iu përgjigjet me gazlotsjellës, ndalime, arrestime, dhunë fizike, deri dhe përndjekje me shkop gome. Fatkeqesisht vijon ndjekja nëpër rrugica…

Kjo  ishte fiks panorama  në një nga rrugicat e ish-bllokut  ku u ndalua dhunshëm  Kryeredaktori i një prej gazetave më të rëndësishme në vend “KOHA JONË ”.

Kryeredaktori Qamil Xhani, i gjendur përballë dhunës që po ushtrohej ndaj dy të mitureve pikërisht në këtë rrugice në deren e redaksisë së gazetës, hapi telefonin  për të dokumentuar atë çfarë sytë po i shikonin. Si gazetar!

Policia ndaloi  gazetarin edhe pse deklaroi disa herë qe ishte gazetar dhe kryeredaktori i “Koha Jonë”,  e ndodhej te dera e redaksise në krye të detyres si gazetar. Qamil Xhani u rrëmbye praktikisht tek dera e “shtëpisë” së tij, aty ku kalon pjesen më të madhe të kohës  si gazetar dhe si Kryeredaktor i Gazetës “Koha Jonë”

Në të vertetë e gjithë kjo situatë  që në krye të heres është  zhvilluar në prag të ngjarjeve jubilare.

Nisi me vrasjen e një  djali 25 -vjeçar në Ditën e Rinisë, 30 vite pas Lëvizjes studentore e cila, në fund të vitit 1990, hapi rrugën për rrëzimin e rregjimit komunist, dhe në prag të 72- vjetorit  nga Deklarata mbi Të drejtat e Njeriut .

Dhe vijon sërish që kjo ngjarje të zhvillohet në prag të 30 -Vjetorit të Gazetës së parë të Pavarur  në Shqipëri  “KOHA JONË ” e cila është ballafaquar me episode të dhushme  gjatë rrugëtimit të saj mediatik . Si për të na treguar se historia përsëritet …

3 vite më parë , isha  pjesë e stafit të Gazetës “Koha Jonë”,  dhe pata fatin të njihem  me historinë e saj, jo nga ajo e treguar por atë historinë e perjetuar në lëkurë. Botuesi i Gazetës “ Koha Jonë”, Z. Nikoll Lesi  do të perjetësonte në librin “ Kështjella e Medias” historinë e të pares gazetë të pavarur në Shqipëri.  Përpos suksesit dhe impaktit të jashtëzakonshëm që pati kjo gazetë në vitet e para të pluralizmit, në atë libër janë dëshmi drithëruese. Nga përndjekja që u bëhej gazetarëve që nga  vendosja tritolit në deren e gazetarit dhe botuesit Z.Nikoll Lesi, deri te rrahja e gazetareve dhe djegia e gazetës . Duke lexuar ato dëshmi, kupton peshen e rendë që mban çdo ” gur” i kësaj “Kështjelle“.

Ndërkohë që prej muajsh gazeta “Koha Jonë” ka nxjerr nga arkiva e saj shkrimet më të mira nder vite nga gazetaret më të njohur, (ku sot disa prej tyre fatkeqësisht janë pozicionuar në llogoren politike) e deri te shkrimet e Kryeministrit Rama (sot)  e dje bashkëpuntori i” Koha Jonë”.  E kush mund ta mendonte që në këtë prag të 30 vjetorit ndërsa publikohen shkrimet e Edi Rames duke dënuar dhunen nga qeverisja e asaj kohë, do të ishte në funksionin e kryeministrit  ku policia  nën qeverisjen e tij dhunon, ndalon kryeredaktorin e kësaj gazete(!)

Vete Kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Qamil Xhani, ka rrëfyer momentet  e dhunimit e më pas shoqërimit nga Policia në komisariat duke theksuar fort se Dhuna ndaj tij dhe gazetarëve ka Emër.

Po ndërkohë që institucionet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare në mbrojte të të drejtave të gazetareve kanë reaguar duke dënuar ashpër dhunën , ndalimin dhe shoqërimin e gazetarëve pa arsye nëpër komisariate, deputetet e Partisë Socialiste fatkeqësisht  jo vetem qe nuk e dënojnë dhunën  por mundohen ta justifikojnë atë.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e PS Vasilika Hysi është shprehur se çdo lloj dhune në ambientet e komisariateve është e gabuar. Megjithate sipas saj, nuk duhet të presim nga policët që të njohin çdo gazetar.

Që një polic duhet të njohë gazetarët, kjo nuk mund të ndodhë. Një punonjës policie nuk mund të dijë çdo gazetar“, tha ndër të tjera Vasilika Hysi.

Kuptohet,  policia njeh vetem ata gazetare apo moderatore që janë 24 ore në televizon. Por bota mediatike ka një makineri gazetarësh në terren në studio, në redaksi për të përcjellë lajmin, ngjarjen .

Sigurisht nuk është i detyruar ti njohë të gjithë, por çfarë mund të themi kur gazetari vetëprezantohet me karten e gazetarit  apo si në rastin e kolegut Qamil Xhani kur nuk ishte aspak e nevojshme as të tregonte karten e  gazetarit pasi logoja e KOHA JONË  pas shpinës, ishte mjaftueshme e madhe për të identifikuar vendin e punës së tij.

Çfarë mund të themi për gazetarin Xhoi Malesia, i cili e pranoi që në momentin e ndalimit nuk kishte bexhin e gazetarit, e megjithate edhe pas verifikimit të tij në komisariat ai raportoi dhunën verbale e ushtruar ndaj tij. Atëherë për çfarë vlen njohja dhe verifikimi i gazetarëve nga ana e policisë?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, tha se gazetarët nuk kanë imunitet të posaçëm nga shoqërimi në polici. “Nuk i di rrethanat e ngjarjes, aktet e tyre. Policia brenda asaj që i jep ligji shoqëron, verifikon, nxjerr. Policia jonë është përballur me një sulm, ka 2 vjet që goditet, fyhet”, tha më tej ministrja Spiropali.

E njejtë si në rastin e Deputetes Hysi, por vetem një saktësim zonja Spiroplai. Kolegu Qamil Xhani nuk ishte në protestë, nuk po sulmonte policinë por thjesht po bënte detyren e tij si gazetar për te informuar dhe raportuar nëpërmjet fakteve. Ishte në derën e gazetës KOHA JONË si dëshmitar i një ngjarje ku policia po dhunonte disa të mitur pjesmarrës në protestë.

Gazetarët nuk kanë nevoje për imunitet, nuk kanë nevoje as të njihen por vetëm të mos pengohen në misionin e tyre, në misionin e së Drejtës dhe të Vertetës.  Ata, Unë, Ti dhe  çdo qytetar tjetër kemi nevoje të ndihemi të mbrojtur e të sigurtë në vendin tonë, në shtëpinë tonë, në punën tonë. Atë Liri dhe të Drejte që na e dhuroi Zoti e që na e garanton Kushtetuta e Shqipërisë . Të Drejten Për Të Jetuar!

/argumentum.al

© Argumentum