Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi buxhetin për 2021, opozita braktis parlamentin

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbrëmë vonë miratuan buxhetin për vitin 2021. Pro buxhetit votuan 62 deputetë të shumicës aktuale, ndërsa nuk kishte kundër dhe të përmbajtur, pasi që deputetët e opozitës nga VMRO-DPMNE, ASH- Alternativa, E Majta kishin braktisur seancën e votimit.

Buxheti i projektuar për 2021 është 247,5 miliardë denarë apo rreth 4 miliardë euro. Ky buxhet është vetëm 2,1% më pak se buxheti i vitit 2020. Sipas projeksioneve të bëra, pritet që të ardhurat të rriten për 8,3% apo të jenë 212 miliardë denarë apo 3,45 miliardë euro.

Deficiti i parashikuar për vitin 2021 është 34.9 miliardë denarë, me ç’rast parashikohet ripagimi i borxhit të jashtëm në vlerë prej 37.2 miliardë denarë dhe ripagimi i borxhit të brendshëm në vlerë prej 6.1 miliardë denarë, i cili do të financohet përmes huazimit jashtë vendit dhe në tregun e brendshëm të letrave me vlerë të qeverisë.

Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se buxheti është real, që lokalizon prioritetet dhe alokon fondet e qytetarëve atje ku do të japin efektin dhe rezultatet më të mira.

Sipas tij, planifikimet janë që në kushtet e rimëkëmbjes së pritshme të investimeve, konsumit dhe kërkesës së jashtme, rritja ekonomike në vend parashikohet në 4.1 përqind.

Shpenzimet kapitale për vitin 2021 janë planifikuar në nivelin prej rreth 24 miliardë denarë ose 26.2 përqind më të larta se plani për vitin 2020, dhe për financimin e këtyre investimeve është planifikuar të sigurohen fonde nga disa burime, siç janë: fondet e buxhetit, Fondet IPA dhe kreditë. Këto fonde do të jenë të destinuara për intensifikimin e realizimit të projekteve të infrastrukturës, pra për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjetike dhe infrastrukturë komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në shëndetësi, arsim dhe sistem shoqëror, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit dhe gjyqësorit.

Shefi i grupit parlamentar të LSDM, Jovan Mitrevski theksoi se opozita me braktisjen e sallës plenare treguan se dëshirojnë që shtetin ta lënë pa buxhet.

Për opozitën, ky buxhet i planifikuar nuk do të japë rezultatet e pritura. Sipas tyre, me këtë nuk do të ketë shëndetësi më të mirë, arsim më funksional, ndërtim rrugësh dhe hekurudhash dhe realizim të projekteve që do të stimulojnë rritjen ekonomike. Sipas opozitës, huazimet dhe shpenzimet joproduktive do të vazhdojnë.(INA)