LIVE/ Kryeministri Rama flet për vrasjen e 25-vjeçarit: Sandër Lleshaj më ka dorëzuar dorëheqjen

Kryeministri Rama ka dalë me një mesazh për vdekjen tragjike të Klodian Rashës. Rama tha në fillim të fjalës së tij se efektivi i policisë ka vrarë një njeri në mënyrë krejt të pashpjegueshme.

Rama u shpreh se pamundësia për të qenë i pranishëm ia imponoi shtyrjen e këtij mesazhi.

“Pavarësisht se arma është shkrepur nga një njeri, arma ishte e shtetit”,- tha Edi Rama. Kryeministri tha se ngjarja nuk ka lidhje me misionin e Policisë së Shtetit. “Sapo kam zbritur në Tiranë kam shkuar në familjen e të ndjerit dhe jam prekur pa masë. Babai i tij më tha “asnjë lule nuk mund të preket në emrin e tim biri, duam drejtësi”. I shpreh ngushëllimet. Fjalët janë të pafuqishme para boshllëkut që po ndjen baba, nëna. Përveç ndjesës dhe ngushëllimit, asgjë tjetër nuk mbetet pas një jete të humbur. Efektivi ka vrarë një njeri krejt pas një lidhje me ndonjë mision apo objekt të Policisë së Shtetit në atë vend”,- tha kreu i qeverisë.

Menjëherë sa ka ndodhur vrasja e Klodian Rashës, ministri i Brendshëm më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. I kam thënë më prit të kthehem sepse desha ta shihja në sy.