Marrëdhëniet Kinë-SHBA me administratën Biden: pritshmëri dhe realitete

Nga Dr. Marsela Musabelliu

Në 26 Tetor 2020, emisioni “60 minuta” në CBS, në kuadër të fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i bëri të njëjtën pyetje Donald Trump edhe Joe Biden: cili vend i huaj është kundërshtari ynë më i madh?

Trump tha menjëherë Kina, është një armik në shumë mënyra - u shpreh ai. Kurse Biden tha Rusia, ndërsa Kinën e quajti konkurenten më të madhe. Biden shtoi se në varësi të mënyrës se si ne (SHBA) do e trajtojmë situatёn, do të përcaktohet në të ardhmen nëse jemi konkurrentë apo kundërshtarë.

Në 16 Nëntor 2020, ende pa u shpallur rezultatet zyrtare të zgjedhjve edhe pse fituesi dihej, ish Sekretari i Shtetit i SHBA Henry Kissinger, tha se administrata e ardhshme e Biden duhet të lëvizë shpejt për të rivendosur linjat e komunikimit me Kinën që u shkatërruan gjatë viteve të administratës Trump ose mund të rrezikojë një krizë që mund të përshkallëzohet në konflike më të thella. Diplomati që hapi rrugën për udhëtimin historik të Presidentit Richard Nixon në 1972 në Kinë, u shpreh se ai shpresonte që kërcënimi i përbashkët i pandemisë Covid-19 do të siguronte një hapje për diskutime politike midis dy vendeve kur Biden të marrë detyrën, në 20 Janar 2021. Duke rishikuar disa nga propozimet e Biden për t'ia adresuar Kinës, Kissinger kërkoi kujdes kur u pyet në lidhje me idenë e ndërtimit të një koalicioni perëndimor për të “mposhtur” Pekinin. Kissinger vazhdoi, kujdes dhe rivendosje e komunikimit me Kinën, këto janë parësore!

Duke parë nga e ardhmja – “Konkurrenca bashkëpunuese” është e mundur

Politika e brendshme e vendeve të mëdha nuk mbahet kurrë brenda kufijve të tyre, sidomos kur bëhet fjalë për dy superfuqitë e botës.

Fu Ying, një ish-ambasador dhe zv/Ministër i Jashtëm i Kinës propozon një rrugë përpara për dy fuqitë kryesore të botës. Nuk mund të mohohet fakti që marrëdhëniet e dy superfuqive kanë pësuar dëmtime serioze gjatë katër viteve të fundit. Secili vend ka shprehur shumë ankesa dhe shqetësime për tjetrin. SHBA besojnë se Kina dëshiron hegjemoninë botërore. Kina i sheh sikur përpiqen të bllokojnë rrugën e saj për zhvillim.

Duket se të dy palët janë të bindura se gjithmonë është pala tjetër që gabon; çdo iniciativë që njëri prej tyre ndërmerr, shihet nga tjetri pa dyshim si një përpjekje për ta minuar atë. Për shembull, Kina ka propozuar Nismën “Një Brez, Një Rrugë” si një e mirë publike globale për të promovuar më shumë rritje dhe një ndërlidhje më të madhe, por Amerika e interpreton projektin si një strategji për mbizotërim gjeopolitik.

Ndërsa marrëdhëniet u tensionuan më shumë vitet e fundit, Uashingtoni filloi të bёnte presion në rritje mbi kompanitë e teknologjisë së lartë kineze dhe duke i bërë gjërat të vështira për tregtinë. Politizimi i shkëmbimeve dypalëshe ka ndikuar jo vetëm fushat e shënjestruara, por ka hedhur rrënjë në cdo aspekt të shkëmbimeve dypalëshe. Të dy qeveritë kanë axhenda të rënda të brendshme për të ndjekur, dhe nëse konkurrenca midis Kinës dhe SHBA-ve është e pashmangshme, ajo duhet të menaxhohet mirë, në mënyrë bashkëpunuese. Është e mundur që të dy vendet të zhvillojnë një marrëdhënie bashkëpunimi [bashkëpunim + konkurim] duke adresuar shqetësimet e njëri-tjetrit.

Në fushat e ekonomisë dhe teknologjisë, rregullat dhe ligjet duhet të mbizotërojnë. Kina po bën përpjekje të forta në të gjitha këto fusha duke përmirësuar ligjet e saj dhe zbatimin e tyre. Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar të Popullit kohët e fundit miratoi ndryshime në ligjin e Kinës për të drejtat e autorit, duke rritur koston e shkeljeve. Uashingtoni, nga ana e tij, duhet të sigurojë një fushë të barabartë për ndërmarrjet kineze për të vepruar në SHBA. Frika e Amerikës nga avantazhet më të fundit të Huawei nuk duhet të shprehet përmes bllokazheve qeveritare; kjo jo vetëm që dëmton kompaninë, por gjithashtu kufizon qasjen e shumë njerëzve në përparimin teknologjik. Qeveria amerikane duhet të inkurajojë kompanitë e saj të punojnë dhe të konkurrojnë me Huawei. Argumenti i ashtuquajtur i sigurisë kombëtare të Uashingtonit kundër kompanive kineze duket  standart i dyfishtё për popullin kinez, duke marrë parasysh se Kina, gjatë katër dekadave të reformës dhe hapjes, mirëpriti të gjitha llojet e teknologjive perëndimore dhe kompanitë amerikane në Kinë - gjatë gjithë kohës në kurriz të sigurisë së saj kombëtare.

Fu Ying shpreh se në frontin politik, është koha që Shtetet e Bashkuara të heqin zakonin e tyre për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Dikush shpreson që Uashingtoni të mësojë nga ndërhyrjet e tij të pasuksesshme në të gjithë botën, për shembull në Afganistan, Irak dhe Libi. Shqetësimet e Amerikës, se forcat e huaja mund të ndërhyjnë në zgjedhjet e saj presidenciale duhet të shërbejnë si një kujtesë e mirë se përse vendet e tjera janë kaq të ndjeshme në lidhje me ndërhyrjen e SHBA në punët e tyre të brendshme. Një atmosferë më e qetë mund të kultivohet kur Kina dhe SHBA tё respektojnë njëra-tjetrën, që do të thotë se SHBA duhet pranojnë se Kina ka një sistem tjetër politik që po funksionon në mënyrën e vet.

Më tej, një mori çështjesh globale bëjnë thirrje për bashkëpunim të ngushtë midis Kinës dhe SHBA - më urgjentja është lufta kundër pandemisë së Covid-19. Ndryshimi i klimës është një fushë tjetër që kërkon vëmendje urgjente. Bota pret që Kina dhe SHBA të luajnë një rol kryesor, dhe të dy vendet kanë shumë për të punuar së bashku. Temat e tjera globale - të tilla si stabiliteti ekonomik, siguria dixhitale dhe inteligjenca artificiale - për të përmendur vetёm disa - të gjitha kërkojnë gjithashtu përpjekje të unifikuara botёrore. Për të trajtuar këto sfida, Kina dhe SHBA duhet të bashkojnë duart dhe të bashkëpunojnë me të gjitha palët e tjera të interesuara. Vetëm atëherë multilateralizmi mund të vazhdojë të sjellë shpresë për përmirësimin e njerëzimit.

Disa fjalë nga Kina adresuar Biden

Disa ditë pas fjalimit të fitores së Joe Biden CGTN, Rrjeti Global i Televizionit të Kinës, dha disa komente mbi fjalimin e tij. Ai fjalim u dëgjua në Kinë, duke menduar se çfare ato fjalë mund të nënkuptojnë për vetë Kinën. Biden tha se do të jetë një udhëheqës që kërkon bashkimin dhe jo përçarjen. Duke parë çfarë ka ndodhur me botën që kur Presidenti Trump erdhi në pushtet, pa asnjë arsye të vlefshme, vendet janë detyruar, veçanërisht ato më të vogla, të marrin pozicione “Ose me ne ose kundër nesh”, tashmë është koha të zgjohemi – vazhdoi analiza e CGTN.

Biden tha se është koha për të bashkëpunuar, dhe këto janë fjalët që jo vetëm Kina por gjithë bota ka pritur. Vendet mund të konkurrojnë dhe duhet të konkurrojnë, kjo është thjesht e natyrshme. Kina do të vazhdojë të rritet, pavarësisht nëse pjesës tjetër të botës i pëlqen ose jo. Dhe kjo është zgjedhja që mund të bëhet – konkurrenca me ose pa bashkëpunim.

Biden, tha se është koha të lihet mënjanë retorika e ashpër dhe të ulen temperaturat. Tonet e ashpra që kanë karakterizuar katër vitet që lamë pas janë thjesht helmuese. Për Kinën tani, topi është në fushën e SHBA-ve, Kina mirëpret një marrëdhënie të qëndrueshme dhe nëse nuk provokohet, nuk ka asnjë arsye për të bërë armik vendin më tё fuqishëm në botë.

Biden, tha se është koha për të sjellë prosperitet për të gjithë, por Amerika nuk ka monopol mbi prosperitetin dhe mundësitë. Populli kinez dhe njerëzit e gjithë popujve tё botës kanë gjithashtu ëndrrat e tyre dhe të drejtën për t'i përmbushur ato. Askush nuk mund të thotë "ndalo". Mirëqenia për të gjithë duhet të nënkuptojë prosperitet për të gjithë.

Ish-Presidenti Obama ka thënë se marrëdhenia midis SHBA dhe Kinës është marrëdhënia më e rëndësishëm dypalëshe e shekullit XXI. Retorika provokative e Trump kundrejt Kinës u has me atë që David Westin e quajti “vetëpërmbajtja strategjike” kineze. Një gjë ёshtё e sigurtё, që retorika do ndryshojë me Biden, dhe nëse ai vazhdon në atë që nisi Obama mendohet që marrëdhenia të paktën do të jetë më konstruktive, nëse ulja e tensioneve verbale do të përkthehet edhe në fakte, kjo mbetet për t’u parë.

Së fundmi, do të ishte një katastrofe e historisë nëse dy vende me një fuqi të tillë do të lëviznin drejt konfrontimit bazuar në perceptime të gabuara. Kjo do të funksiononte vetëm kundër interesave të tyre themelore, dhe e gjithë bota do të paguante çmimin.

/argumentum.al

© Argumentum