Në vigjilje të demokracisë!*

EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM

Nga Dr. JORGJI KOTE

….Kështu, dalngadalë po i afroheshim viteve 9O, veçse pa kurfarë perspektive. Këtë e ndjenin të gjithë e sidomos ne që punonim në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe ndërmarrjet e saj. Vendi po mbahej vetëm me premtimet e së ardhmes, me planet utopike  të « arkëtimeve të  pritshme » dhe me “ nishallah.” Në një kohë kur popullsia rritej bashkë me kërkesa për mallrat më të domosdoshme të importit. Gjendja ishte e tendosur, për shkak të deficiteve të mëdha të krijuara ndër vite. Kritika gjithandej dhe pritshmëri të parealizueshme, siç kishte treguar përvoja e gjithë viteve 80. Për pasojë, çdo vit më 31 Dhjetor, mjaft drejtues e specialistë në Ministri e në ndërmarrje të tregtisë së jashtme do ta « gdhinin » në zyrë; ata shkëputeshin vetëm disa orë për të festuar  1 Janarin dhe në drekë do t’i gjeje sërish në zyrë, deri natën vonë. Kjo histori përsëritej çdo muaj. Dhe, gjithë problemi nuk ishte si do të zgjidhej situata, por si të dilje «  pa u lagur « Me një fjalë «  shtyje ta shtyjmë ! » Ndërkohë, duhet thënë se kishte edhe njerëz dhe kuadro të ndershëm që kanë ngritur zërin për t’u parë e për t’u rregulluar disa gjëra, edhe pse natyrisht brenda kornizës socialiste. Elementë reformatorë, madje pse jo, edhe atje lart në parti në shtet, por sidomos në organet e prodhimit sugjeronim që të shihej problemi i kredive, i ndihmave, i vendosjes së marrëdhënieve me organizmat e huaja ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, me SHBA dhe vende të tjera e sidomos me BE-në, apo qoftë dhe lejimi i pronës private në format e saj më të thjeshta, si para viteve 70. Ata argumentonin me të drejtë se Kushtetuta dhe parimet nuk kishte pse të ktheheshin në dogma dhe tabu! Madje, ishte propozuar të shihej dhe mundësia e dërgimit të organizuar e të kontrolluar të grupeve me puntorë jashtë vendit. Ndërkohë, propaganda për rritjen ekonomike dhe begatinë e vendit me lugë bosh vazhdonte surdinë e saj. Anekdota shkodrane mbi mirëqënien ekonomike, si diçka që “rritet e rritet por që kurkush nuk e sheh” kishte marrë dhenë. Ironinë e gjëndjes e shtoi edhe një çmim i Ushqimit që iu dha Shqipërisë në Meksikë, i cili u pompua tej mase. U habitën njerëzit se si ka mundësi që ne që nuk kishim të hanim e që çoheshim në mes të natës të merrnin qumështin e racionuar, paskeshin qenë të parët për ushqim! Në fakt, vendi ynë ishte vlerësuar nga një “ nobody” (askushi) në Meksikën e largët për zbatimin e parimit të vetëmjaftueshmërisë ushqimore, pra që nuk importonim produkte ushqimore, se demek i plotësonim vetë të gjithë nevojat tona! Kështu, shqiptarët kuptuan, se rregjimi dhe sistemi jo vetëm ishin të paaftë të na nxirrnin nga ajo gjendje pa shpresë, por tani dhe po talleshin me fatkeqësinë e njerëzve. Furnizimi me lëndë të para i ekonomisë, i prodhimit ishte bërë i pamundur, çka e detyroi qeverinë të paguante njerëzit pa punuar në masën 80 për qind dhe të prekte për herë të parë vitet e fundit rezervat valutore. Vijonte mungesa e theksuar në treg e pajisjeve të nevojshme, sidomos për frigoriferë e lavatriçe. Ndërkaq vendin po e mbulonte me gjithë zymtësinë e vet papunësia që deri atëhere pompohej si epërsi dhe arritje e rendit të ri socialist! Në atë kohë u bë e njohur dhe tregohej një barcoletë në Shkodër, kur gjatë zhvillimit të një forme të edukimit marksist, pasi u fol mbi procesin e shndërrimit të majmunit në njeri nëpërmjet punës, sipas teorisë së Engelsit, në fund pjesëmarrësit mund të bënin dhe ndonjë pyetje; kështu, një i papunë i bën drejtuesit të formës pyetjen e mëposhtëme që shkaktoi aq shumë ilaritet:

“ Me të drejtë Engelsi thotë se puna e ktheu majmunin në njeri. Po unë që kam dy vjet pa punë, a mos ka rrezik të kthehem në majmun?

Mirëpo gjërat nuk mund të ecnin me një sforcim të tillë. Ingranazhet e ekonomisë po kërcisnin për mungesë “ vaji”  grasoje dhe nafte” Mirëpo, në vend që të merreshin masa reale për të lehtësuar sadopak gjendjen, vijonte sërish gjuetia e shtrigave edhe ndaj nismave të njerëzve që në kushtet e “urisë” për lekë, organizonin të ashtuquajturat «  llotari kolektive «         me 5 e më shumë vetë. Në këto llotari, çdo punonjës jepte periodikisht pjesën e tij të lekëve dhe pas një periudhe kohe merrte një shumë të madhe parash,të nevojshme për një gëzim, dasëm, apo mobilimin e shtëpisë; kjo sepse pavarësisht nga varfëria, ne donim ta mobilonim sa më bukur shtëpinë, duke e thyer sadopak uniformitetin shabllon të asaj kohe. Më e mira do të ishte që këto llotari t’i organizonte shteti, siç veprohej deri në vitet 70, kur ato u hoqën në kuadrin e nismave revolucionare apo dhe të jepte kredi për çiftet e reja të sapomartuara, çka do të ishte e dobishme edhe për vetë financat shtetërore.  Por dhe kjo nismë konsiderohej si “ luks “ sepse  njerëzit duhen të kaliteshin dhe vuanin” si revolucionarë “. Ishte koha kur në fuqi ishte “ ideologjia e vuajtjes dhe mundimit”, siç shprehet Georges Duhamel në “ Geographie corduale de l’Europe”. Ai shtron me të drejtë pyetjen nëse është më mirë të blesh pajisje me kredi në rini, ta gëzosh atë dhe të punosh për ta shlyer atë, apo të punosh e rropatesh tërë jetën për të blerë me kredi në moshën 70 vjeçare, kur je më pranë fundit të jetës. Tek ne fatkeqësisht mbizotëronte varianti i dytë dhe më i mundimshmi.

Nga ana tjetër, duhet të theksoj se, ndryshe nga vitet 60 -70, kur për hir të së vërtetës, krahas të këqiave tashmë të njohura dhe denoncuara, ndjekjes dhe dënimit të njerëzve, etj propaganda gjithsesi ishte mjaft më e efektshme. Kjo sepse kishte ende më shumë shpresë e besim tek njerëzit, qoftë dhe për ndryshim pozitiv, nga jashtë dhe nga brenda, sidomos tek prindërit tanë të dalë nga lufta. Veç kësaj, kishte dhe arritje, ndërtoheshin uzina e fabrika, hidrocentrale, zhvilloheshin aktivitete kulturore e artistike me jehonë, kishte ulje çmimesh, merreshin masa të tjera social – ekonomike edhe në fushën e shëndetësisë; por, edhe jeta e njerëzve ishte më e dlirë dhe furnizimi më i mirë. Ndërsa pas viteve 80 gjendja ishte përkeqësuar në të gjitha drejtimet, madje edhe pas hapjes “ me frëngji” pas vitit 1985. Kishte dëshpërim dhe shpresat ishin venitur edhe tek shumica e prindërve tanë dhe fëmijve të tyre të ushqyer qysh në qumështin e gjirit me aq shumë ëndra dhe pritshmëri. Për pasojë, edhe ato inaugurime që bëheshin, qoftë dhe i ndonjë vepre madhështore, si H/C i Fierzës, shiheshin me skepticizëm, pasi nuk mendohej më se ato do të sillnin përfitime konkrete për njerëzit, ca më pak, të shpejta dhe të ndjeshme për masat e gjëra punonjëse. Uria për malla konsumi dhe ushqimore kishte shkuar aty ku nuk mbante më. Socializmi i vërtetë që trumpetohej  me aq bujë dhe pompë nuk po shihej gjëkundi. Besueshmëria kishte marrë tatëpjetën. Ndërsa Plani i Tetë Pesëvjeçar ( 1981 – 1985) me të gjitha objektivat dhe projektet  tij,  i pari i mbështetur “ tërësisht në forcat tona “ vetëm sa e shtonte këtë mosbesim. Kjo për arsyen e thjeshtë se  njerëzit mendonin se kur me ndihmat e Kinës e BS-së nuk bëmë gjë,  si do t’ia bëjmë hallit tani vetëm me forcat tona? Jo vetëm nuk e kishim bërë “botën të fliste shqip”, siç pretendohej atëhere, por shqiptarët ishin bërë të flisnin me vehte, kur shkonin qysh më dy të natës për të zënë radhën e pafund për qumësht, mish, kafe, djathë, vezë dhe vajguri; se pa këtë të fundit nuk mund të funksiononin të famshmit dushe me vajguri. Tashmë edhe në klubet në dikasteret tona mund të pihej vetëm kafe elbi, sepse nuk kishte burime financiare për të importuar kafe normale, e cila hyri në artikujt e luksit.  Madje, mund t’u kujtohet se në ato vite duhet të kishe mik, për të siguruar një autorizim për pak kafe edhe për raste vdekje! Edhe reformimi i jetës së vendit pas vitit 1985 ishte tejet i ngadalshëm dhe i cunguar. Vërtet në fund  të viteve 89 u muarën disa masa në kuadrin e të shtuquajturit «  mekanizëm i ri  ekonomik”. Por ishte shumë pak dhe për më tepër nuk njihej as si “reformizëm”, pasi kjo konsiderohej “dukuri revizioniste”. U kujtuam të mësonim diçka prej tyre, ku ata vetë po i hidhnin poshtë praktikat e tyre të mëparshme dhe kur revolucionet demokratike po u trokisnin në derë. Kështu, në Mars të vitit 1989, Kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari kryesoi një delegacion për në Rumani, me qëllimin për të mësuar nga përvoja rumune e reformave. Në delegacionin tonë kishte dhe ekspertë të mirë. Mirëpo, të mësoje në atë kohë nga Rumania për reformat, ishte tejet absurde, pasi ajo ishte ndër shembujt më të  prapambetur, përkundrejt Polonisë, Hungarisë dhe Çekisë. Madje, dhe Polonia, Hungaria dhe Çekia që mbaheshin si pararojë, pranonin se kishin probleme dhe se sistemit po i vinte fundi. Natyrisht, mikpritësit tanë rumunë na pritën dhe trajtuan mjaft mirë, ndryshe nga sa e kishim menduar më parë, po e shihja dhe se ata vetë ishin të ndrojtur dhe dyshues. Shkova dhe tre herë të tjera gjatë po atij viti në Rumani, me delegacione ekonomike; për të fundit herë në Nëntor 1989, ditët kur po shëmbej Muri i Berlinit dhe kur pas një muaji do ta pësonte keq edhe Çaushesku, të cilin e shihnim çdo ditë kur shkontë në zyrën e vet me eskortat e shumta dhe të zhurmshme të shoqërimit, bashkë me Elenën dhe qenin e tij. Ndërkohë, bota po lëvizte, por tek ne vazhdohej me të njëjtin ”avaz”. As hapeshim dhe as mbylleshim, as lindje as perëndim, as reformë as integrim, as andej, as këtej, as përpara dhe as mbrapa, as ashtu dhe as kështu! Gjithnjë brenda kuadratit të “ vijave të bardha “ që përshkruan aq bukur Xhevahir Spahiut në vjershën e tij me të njëjtin titull:

vija të bardha para

vija të bardha prapa

vija të bardha majtas

vija të bardha djathtas

O vija të bardha që na nxitë jetën! “

Dukej se rregjimi mundohej thjesht “të hidhte lumin e të dilte në breg, pa u lagur edhe këtë radhë “ Për këtë qëllim, në Maj 1990, u shfrytëzua edhe vizita e  ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Peres  de Kuelar. Kjo vizitë, e vetmja e një natyre të tillë në Shqipëri nga ana e  Njëshit të OKB-së u konsiderua si një fitore e madhe e diplomacisë sonë. Por dhe OKB-ja kishte qëllimet e veta me këtë vizitë, që t’u tërhiqte vëmendjen autoriteteve të Tiranës që të reflektonin ndaj asaj që po ndodhte në Europë dhe në botë. Por, sërish autoritetet tona e shfrytëzuan këtë vizitë dhe kortezinë e Kuelarit më tepër për propagandën dhe imazhin e tyre, se sa për përparim në fushën e të  drejtave të njeriut. Ngjarjet e 2 Korrikut 199O e më pas ato të eksodit masiv të Marsit 1991 e dëshmuan qartë këtë fakt. Ato u kthyen në akt-akuzën më të rëndë ndaj sistemit të kaluar. Në atë kohë punoja i atashuar në Ministrinë e Jashtme. I përjetuam shumë keq gjithë ato ngjarje dhe episode të njohura. Ndërsa në Gusht të apo atij viti erdhi në Shqipëri delegacioni i Komisionit Amerikan të Helsinkit, i kryesuar nga dy ambasadorë. Bisedimet i kryesonte Foto Çami, Antar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ të PPSH-së, ndër njerëzit më të ndriçuar dhe të shkolluar të rregjimit, tek i cili njerëzit kishin shumë besim. Kërkesat e tyre kryesore ishin lejimi i fesë, të drejtat e njeriut, opozita dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Pata mundësinë të isha i pranishëm në disa aktivitete me ta. Qëndrimi konservator dhe mohues i Çamit dhe autoriteteve të tjera ndaj këtij delegacioni ishte një zhgënjim i plotë për palën amerikane dhe këtë komision, më i rëndësishmi i Kongresit amerikan, sidomos në atë periudhë ndryshimesh. Në këto rrethana, më 25 Shtator ishim në Pritjen në Pallatin e Brigadave me rastin e përfundimit të takimit të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit, takimi i parë i këtij lloji i organizuar në Tiranë, do thënë jo pa sukes, kur sa pa filluar aktiviteti, u mësua për azilin e Kadaresë në Paris. Kuptohet që klima dhe atmosfera festive u zymtësuan menjëherë. Ishte ky paralajmërimi i fundit serioz për rregjimin. Edhe Plenumi i KQ i Nëntorit 199O, në përgjithësi  eci nëpër të njëjtat linja, çka dëshmonte se udhëheqja e asaj kohe, madje dhe ata që mendoheshin si më të reformuarit, pasi për përfaqësuesit e vijës së ashpër as që nuk bëhej fjalë, ishin tërësisht “ out of touch “ me realitetin shqiptar në agoninë e tij fatale. U desh dhjetori 199O që të vuloste fundin e sistemit absurd të vetërrethimit dhe ardhjen e demokracisë pluraliste në Shqipëri.

* Shkëputur nga libri  “ Në  Vetrrethim” botim i “TOENA” 2012

             

/argumentum.al

© Argumentum