Pas vizitës së Lavrovit në BeH/ Izetbegoviç akuzon Rusinë për përzierje në punët e brendshme

Bakir Izetbegoviç, udhëheqësi i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), partia më e madhe boshnjake në Bosnjë dhe Hercegovinë, deklaroi se Rusia rrënjësisht përzihet në punët e brendshme të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësi boshnjak Izetbegoviç, i cili vizitoi Mostarin përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen në këtë qytet të dielën, komentoi vizitën e diskutueshme të ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se ai qëndron prapa refuzimit të Shefik Xhaferoviçit, anëtarit boshnjak i Këshillit Presidencial të BeH-së, dhe Zhelko Komshiçit, anëtarit kroat, për të mos u takuar me Lavrovin, Izetbegoviç deklaroi se pretendimet në fjalë janë të pavërteta.

Ai deklaroi se dy anëtarët e këshillit nuk u takuan me Lavrovin me vendim të marrë sipas vullnetit të tyre.

"Dje u takova me Shefik Xhaferoviçin. Ai më tregoi se kanë marrë një vendim të tillë”, tha Izetbegoviç.

Duke theksuar se janë në koordinim të vazhdueshëm me Xhaferoviçin, i cili është gjithashtu anëtar i SDA-së, Izetbegoviç tha: "Megjithatë, ne nuk kishim një raport të tillë me Komshiçin. Ne biseduam me të vetëm për NATO-n”.

Duke nënvizuar se Xhaferoviç dhe Komshiç janë politikanë të respektuar, Izetbegoviç theksoi se Rusia ofron mbështetje selektive për udhëheqësit e Republika Srpskas (RS), një nga dy njësitë në BeH, pavarësisht se çfarë bëjnë ata.

Izetbegoviç vuri në dukje se Rusia përzihet rrënjësisht në punët e brendshme të BeH-së.

“Gabimi i Lavrovit është që nuk respektoi simbolet dhe ligjet e Bosnjë dhe Herzegovinës. Ai provokoi Xhaferoviçin dhe Komshiçin me sjelljen e tij”, tha Izetbegoviç.

Vizita e Lavrovit

Lavrov, i cili erdhi në Bosnjë dhe Herzegovinë më 14 dhjetor, së pari shkoi në Sarajevën Lindore në Republika Srpska (RS) dhe u takua me përfaqësuesit serbë atje dhe flamuri i Bosnjë dhe Herzegovinës nuk ishte i pranishëm gjatë takimit, duke shkaktuar reagime.

Si rezultat, Xhaferoviç dhe Komshiç refuzuan të takohen me Lavrovin.

Ndërsa Xhaferoviç dhe Komshiç deklaruan se Lavrov u tregua mosrespektues ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës dhe institucioneve të saj, Lavrov pretendoi se të dy anëtarët e këshillit vepruan sipas udhëzimeve të të tjerëve./AA