PD dorëzon padi në SPAK kundër Ardi Veliut

Teksa protestuesit kërkojnë largimin e Ardi Veliut nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Partia Demokratike ka paditur sot në SPAK, (Prokuroria e Posaçme), këtë të fundit. Në njoftimin e selisë blu, thuhet se Veliu është paditur nga PD-ja, për të paktën 5 vepra penale që policia ka kryer gjatë protestave për Klodian Rashën.

Nga ana tjetër, selia blu kërkon pezullimin nga detyra të Veliut deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa argumenton se ai ka shpërdoruar detyrën, ka kryer veprime arbitrare, ka penguar qytetarët të grumbullohen dhe nuk ka marrë masa për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.

Në padinë e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike argumenton me detaje sesi Ardi Veliu ka shkelur ligjin, duke kryer të pesta veprat penale, si:

1. Shpërdorim i detyrës
2. Kryerja e veprimeve arbitrare
3. Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbullusr dhe manifestuar
4. Dëmtime të tjera me dashje
5. Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme

Në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Partia Demokratike vë në dukje se ”në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës”.