“Përgjegjësi jam unë”. Jepni dorëheqjen Zoti Ministër!

Në Ditën e Rinisë në lule të rinisë  u vra një i ri 25 vjeçar!

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 rreth 100 metra larg banesës së të riut. Sipas policisë 25-vjeçari është konstatuar nga punonjësit e repartit “Shqiponja” duke lëvizur në shkelje të orarit kufizues dhe thirrjes së tyre për të ndaluar, Klodian Rasha i është përgjigjur duke i drejtuar armën dhe më pas larguar me vrap.

I vënë përballë kësaj situate efektivi i policisë ka hapur zjarr duke qëlluar me dy plumba ndaj të riut i cili pasi është dërguar në spital ka ndërruar jetë. Pak orë pas ngjarjes uniformat blu kanë sekuestruar dhe armën e zjarrit tip pistoletë pak metra nga vendi ku u qëllua 25-vjeçari Rasha, me të cilën dyshohet se kanosi efektivin e policisë.

Klodian Rasha nuk ishte një emër i panjohur për policinë, më herët ai rezulton të jetë ketë qenë i dënuar për plagosje të lehtë me dashje si dhe në vitin 2016 për heqje të paligjshme të lirisë.

Ky ishte njoftimi i policisë në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit  duke tronditur këtë ditë jubilare për Shqiptaret, “Ditën e Rinise”

Në orët e para të ngjarjes u theksua në media se viktima ishte me precendent penal, për shkak të një ngjarje që në 2016. Por kjo nuk e justifikon veprimin e punonjësit të policisë  i cili jo vetem nuk e dinte se kush ishte personi në fjalë dhe  aq më tepër  biografinë tij.

Megjithatë për veprimet dhe mosveprimet e policisë, kam pritur qendrimin zyrtar nga SHÇBA sikundër doli me një deklaratë për mediat ku ndër të tjera theksohet:

“Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H, bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor TiranëNjë ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së martës në zonën e Laprakës në kryeqytet ku një 25-vjeçar ka mbetur i vrarë nga policia pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Sipas policisë i riu po kryente disa lëvizje të dyshimta, dhe pas thirrjeve të vazhdueshme ka kërcënuar efektivin. Vetëm pak orë pas ngjarjes ky i fundit u arrestua me akuzën e “Vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme

Por çfarë parashikon Ligji për përdorimin  e armës së zjarrit nga punonjësit e policisë?

Neni 9 për përdorimin e armëve të zjarrit

“Përpara përdorimit të armëve të zjarrit punonjësit e policisë dhe subjektet e tjera duhet të identifikojnë veten si të tillë si dhe t’i japin një paralajmërim të qartë duke shprehur me zë të lartë “Ndal”, ndjekur dhe paralajmërimi i dytë “Ndal se do të qëlloj”, nëse ai nuk ndalet.

Në rrethana objektivisht të pamundura, të ngutshme, mund të mos bëhet paralajmërimi në rast se një veprim i tillë rrezikon subjektet e këtij ligji ose personat e tjerë nga një rrezik i çastit për jetën. Në këtë rast qëllohet pa paralajmërim, duke synuar pjesët e poshtme të trupit”.

Pas njoftimit nga SHÇBA-së, i cili për hirë të vertetës kanë punuar në kohë rekord për të zbardhur ngjarjen  rezulton  se nga hetimet e tyre paraprake është  kryer arrestimi i punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Kanë kryer detyren deri këtu.

Por pas shkeljes së ligjit nga ana e policisë së shtetit, përkatësisht  nenin 9 të sipërpërmendur, vjen detyrimi moral për të cilen duhet të përballet Ministri i Brendshëm, Zoti Sandër Lleshaj.

Në fakt Ministri i Brendshëm, si fytyra e policisë së shtetit nuk ka vetem detyrim moral por dhe ligjor, nëse do të bazohemi në deklaraten e tij disa muaj më parë ku shprehet:

“Do ju them kaq, mua do më shihni në fytyrat e policëve. Shihni ata, si të jenë ata, jam unë. “Nëse i shihni policët me krimin, jam unë me krimin. Nëse i shihni policët e dehur, dijeni që po pi unë. Nëse i shihni policët të pasjellshëm, dijeni që po sillem unë. Ata do jenë fytyra jonë.”

Punonjësit e policisë kanë qenë atje jo personalisht, por në mënyrë të strukturuar, nëse doni të kërkoni përgjegjësi penale e politike, kërkoni përgjegjësi për drejtuesit e tyre. Kush janë këta drejtues? Jam unë, është Drejtori i Policisë së Shtetit, është Drejtori i Policisë së Tiranës”.

Për çdo pretendim për abuzime përgjegjësinë ma kërkoni mua, jo policëve.

Sot është rasti flagrant që Ju të mbani fjalën Zoti Minister. Nuk po kërkojmë ti qëndroni me përpikmëri zotimit tuaj, ku thoni  që mund të kërkojmë përgjegjësi penale e politike. Jo.

Ama sot Zoti Lleshaj, kërkojmë të mbani përgjegjësi MORALE para vdekjes së një djali 25 vjeçar nga policia e shtetit, fytyra e së ciles jeni JU.

Jepni dorëheqjen. Mbani fjalën e nderit si Burrë, Ministër, Mirditor, Katolik por mbi të gjitha si Prind, si NJERI!

Asnjë hezitim. Jepni Dorehëqjen!

d.m          

/argumentum.al

 

 ***

Njoftimi i plotë  për media i SHÇBA-së

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku humbi jetën një 25 vjeçar, specialistët e SHÇBA u angazhuan menjëherë së bashku me grupin hetimor të ngritur për këtë qëllim.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, sqarojmë se: Sot rreth orës 01:45, punonjësi i policisë N.H., efektiv i Patrullës së Policisë, gjatë shërbimit në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qëlluar me armën e shërbimit shtetasin K.R., i cili ka gjetur vdekjen në spital. Shërbimi i Policisë i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që Patrulla të kryente verifikimin e shtetasit.

Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica. Në ndjekje e sipër, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që Patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin.

Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Menjëherë pas njoftimit është formuar grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka kryer veprimet e para hetimore.

Gjatë hetimeve paraprake, si kqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K.R., grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H. Nga grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë.

Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H, bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duke përfituar nga ky komunikimim publik, shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të të ndjerit dhe garantojmë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet.

© Argumentum