Policia ndalon dhe shoqëron me dhunë kryeredaktorin e gazetës Koha Jonë

Zv/kryeredaktori KJ, Herion Mesi njofton se sapo ndaluan mu te dera e redaksisë, kryeredaktorin e gazetës KOHA JONE, Qamil Xhani .

Kryeredaktori ishte tek dera e redaksisë  dhe ka dalë sapo kanë ardhur makina me sirena policie dhe ku po rrihnin dy minorenë. Në këtë moment ka ndërhyrë kryeredaktori duke u përpjekur ti filmojë forcat speciale që po dhunonin minorenët, por e kanë prangosur menjëherë kryeredaktorin e KOHA JONE.

Ndërkohë që po i vinin prangat për ta futur në makinën e policisë, jo vetëm kryeredaktori që i ka sqaruar se jam gazetar, por edhe zv/kryeredaktori Herion Mesi u ka thënë se “është kryeredaktor i gazetës KOHA JONE”.

Forcat e policisë e kanë futur me dhunë në makinë kryeredaktorin e KOHA JONE duke e goditur në kokë dhe shpinë.

Më pas botuesi Lesi ka telefonuar urgjent drejtorin e policisë së shtetit Ardi Veliu duke ia sqaruar dhe kërkuar llogari për këtë ndalim mu te dera e redaksisë së KOHA JONE.

Mësohet se celularin e kryeredaktorit policia e ka marrë dhe ka fshirë pamjet.

Pas gjysëm ore kryeredaktori u la i lirë, ndërkohë që tha për redaksinë se “dola nga komisariati ku po kërciste druri mbi të ndaluarit”./koha jone