Polonia, Hungaria përballë thirrjeve në rritje për të hequr veton ndaj buxhetit të BE

Polonia dhe Hungaria po vihen nën një presion në rritje për të zhbllokuar fondet e buxhetit të BE, që i kanë bllokuar me veto. Ish-presidentët polakë i kanë kërkuar qeverisë së vendit të tyre "të ndalojë shantazhin".

Polonia dhe Hungaria u përballën me më shumë thirrje të martën për të hequr veton ndaj buxhetit të Bashkimit Evropian, kur ka mbetur pak kohë që buxheti aktual të mbarojë në fund të vitit.

Në një letër të hapur, të cituar nga agjencia e lajmeve AFP, Lech Walesa, Aleksander Kwasniewski dhe Bronislaw Komorowski thanë se një veto e tillë do të justifikohej vetëm nëse buxheti ishte i padrejtë ndaj Polonisë. Sidoqoftë, kur qeveria polake kishte ndihmuar vetë në negocimin e buxhetit, kjo tregon se nuk kemi një situatë të tillë, shkruan ata.

"Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje presidentit polak, kryeministrit dhe qeverisë të ndalojnë shantazhin ndaj anëtarëve të tjerë të BE me një veto të buxhetit," thuhet në letër.

Lech Walesa, për shumë polakë hero për përpjekjet e tij për të luftuar komunizmin, iu bashkua thirrjes së ish-presidentëve.

Goditje e sundimit të ligjit

Varshava dhe Budapesti kanë bllokuar buxhetin prej 1,1 bilionë eurosh dhe fondin stimulues shoqërues prej 750 miliardë eurosh, sepse kundërshtojnë që fondet të kushtëzohen me respektimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve demokratike. Të dyja vendet janë nën hetim për shkeljen e rregullave të BE duke minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Balszczak përsëriti të martën pozicionin e vendit të tij, duke i thënë një transmetuesi publik se "mekanizmi i kushtëzimit në formën e tij aktuale është i papranueshëm për Poloninë".

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto gjithashtu ka konfirmuar se Budapesti do të qëndrojë krah për krah me Poloninë. Pasi u takua me homologun e tij polak në Bruksel të hënën, ai tha në një video në Facebook se "ne kemi pohuar se qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit".

Në kërkim të një zgjidhjeje tjetër

BE duket se ka të ngjarë të kërkojë një rrugë alternative për lirimin e fondeve nëse Polonia dhe Hungaria nuk binden. Një diplomat i lartë i BE tha se 25 vendet e tjera anëtare do të ishin të përgatitur të fillojnë një proces, që i përjashton dy shtetet e Evropës Qendrore, me një videokonferencë të ministrave të çështjeve evropiane, të planifikuar për të martën.

Ministri gjerman i Shtetit për Evropën Michael Roth tha se buxheti dhe fondi stimulues duhet të lirohen pa vonesë.

"Do të ishte e papërgjegjshme të vonohet më tej mbështetja thelbësore për qytetarët tanë. Ne duhet të zhbllokojmë me shpejtësi mbështetjen financiare që është kaq kritike për shumë shtete anëtare," tha ai.