Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, veprimtarin nga Lugina e Preshevës, Muharrem Salihu

Kreu i shtetit Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, veprimtarin e shquar të diasporës sonë kombëtare dhe atdhetarin nga Lugina e Preshevës, Muharrem Salihu. Ky vlerësim i lartë, ju bë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë frymëzuese, nxitëse, mobilizuese dhe përkrahëse, në mbrojtje të lirive e të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në përgjithësi, dhe në Medvegjë, në veçanti. Me mirënjohje për investimet largpamëse në favor të zhvillimit ekonomik, social dhe punësimit të shqiptarëve dhe komunitetit, si rrugë për të ndalur shpopullimin e trojeve amtare si dhe për të nxitur normalizimin e jetës dhe bashkëjetesës ndëretnike. Për mbështetjen e fuqishme të aktiviteteve kulturore dhe artistike të shqiptarëve, që dëshmojnë gjurmët e hershme të autoktonisë së tyre në viset ku ata banojnë, kudo në Republikën e Serbisë”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve, deputetëve, diplomatëve, ish-ministrave, intelektualëve dhe personaliteteve të pranishme, Kreu i Shtetit u shpreh se “Prej vitesh Muharremi flet me ne, me autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës për këtë problem, flet me personalitete në Veneto dhe Itali, me Kongresin Amerikan, me Parlamentin Europian. Nëse ne nuk shkojmë të shohim ato vende të mrekullueshme, Banjën e Sijarinës, një mrekulli natyrore, Medvegjën e gjeneral Veli Dedit, Tupallën e akademikut Idriz Ajeti, nuk do të kuptojmë dot Muharremin, rrënjët e Muharremit, rrënjët tona, gjakun tonë. Unë e kam bërë këtë udhëtim dhe e kam kuptuar Muharremin. Kam kuptuar pse Serbia synon të shpopullojë Medvegjën në një lojë të pandershme të korrigjimeve të pabarabarta territoriale”,– tha ndër të tjera kreu i shtetit.