Prezantimi i ministrit të tri të brendshëm shoqërohet me "kunja" Rama-Lleshaj

Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në prezantimin e sotëm të pasardhësit të tij, Bledi Çuçi, u shpreh se nuk ka asnjë këshillë për të pasi ishte i bindur se kushdo që do të vinte pa dëshirë, për kryeministrin Edi Rama puna do të shkojë sesbën mirë.

I tensionuar dhe jo tepër i qartë në artikulim, Lleshaj tha se është i lumtur që është zgjedhur Bledi Çuçi për të shërbyer dhe jo për t’u shërbyer, duke lënë kështu të nënkuptojë se Çuçi do t’i vijë në ndihmë ambicieve të Ramës dhe jo qytetarëve.

“Është bërë një zgjedhje e mirë me pasardhësin sepse është e vështirë të dorëzosh çelësin. Unë kam dorëzuar shumë çelësa gjatë karrierës sime, e kam patur këtë merak…Para disa netësh jam pyetur se ç’këshilla do t’i jepja pasardhësit. I thashë se nëse është një person që vjen pa dëshirën e tij, nuk kam asnjë këshillë, sepse në këto kushte puna do të shkojë sesbën mirë (…) Jam i lumtur që ka ardhur Bledi Çuçi për të shërbyer dhe jo për t’u shërbyer”, – tha Lleshaj.

Rama nuk vonoi të ndërhyjë, duke thënë se Çuçi ka ardhur pa dijeni, jo pa dëshirë. “Një saktësim do bëj unë, ka ardhur pa dijeninë e tij, jo pa dëshirën e tij, se duket sikur s’ka pasur mundësi të thotë as sa dëshirë që ka”, – u shpreh Rama.

Ndërkohë që, Lleshaj iu përgjigj: Aq më keq!

Para pak minutash, ish-ministri i Brendshëm foli për rezultatet e punës së tij përgjatë dy viteve, teksa falenderoi edhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Ai i konsideroi ata kartë identiteti përballë qytetarëve.

Risjellim në vëmendje se Lleshaj u dorëhoq pas protestave të nxitura nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi Nevaldo Hajdëraj.