Protesta/ Yuri Kim: Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës

Ambasada amerikane ka reaguar për vrasjen e Klodian Rashën nga efektivi i policisë.

Në një deklaratë për median ambasada shprehet se ata që kanë qenë në pushtet më parë s’duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme

“Vdekja e Klodian Rashës është një tragjedi dhe ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të tij.

Ambasadorja Kim bisedoi sot me Kryeministrin Rama, Drejtorin e Policisë Veliu, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi, për të diskutuar mbi të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e udhëheqësve.

Ajo nënvizoi se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet.

Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet. Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën.

Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë.”- thuhet në njoftimin e ambasadës.