Qeveria akordon pension të veçantë për familjen e Klodian Rashës

Qeveria ka akorduar një pension për familjen e Klodian Rashës, 25-vjeçarit të vrarë disa ditë më parë nga një efektiv policie në zonën e Laprakës, vetëm pak metra lag shtëpisë së tij.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave të botuar edhe në Fletore Zyrtare bëhet me dije se trajtimi financiar për familjen Rasha i paguhet kryefamijarit Qazim Osman Rasha dhe është sa tetëfishi i pensionit social.

Pensioni social në vendin tonë është 7674 lekë.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5/1/b, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Dhënien e trajtimit të veçantë familjes të të ndjerit Klodian Rasha, i cili, në datën 8.12.2020, humbi jetën aksidentalisht, si pasojë e veprimeve policore, në masën e tetëfishit të pensionit social, të miratuar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993. 2. Trajtimi i veçantë familjar, financiar mujor, i  paguhet kryefamiljarit z. Qazim Osman Rasha. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 dhjetor 2020”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Klodian Rasha u vra me armë zjarri gjashtë ditë më parë nga një efektiv i forcave "Shqiponja" në zonën e Laprakës, në Tiranë.

Për këtë ngjarje të rëndë qindra qytetarë kanë dalë në protestë prej 5 ditësh. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë dhe kërkesës së vazhdueshme së protestuesve, por largimi i drejtorit të policisë, Ardi Veliu është thirrja e radhës e të rinjve që sot në orën 18:00 kanë paralajmëruar tubimin e radhës.