Sot nis vaksinimi anti-COVID në Evropë

Gjatë ditës së shtunë në shtetet evropiane janë shpërndarë dozat e parë të vaksinës së prodhuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane Biontech.

Ndërsa në shenjë uniteti në shtetet e Bashkimit Evropian në të njëjtën ditë, pikërisht në 27 dhjetor nis procesi i vaksinimit anti-COVID.

Në Itali nën masa të rrepta sigurie të shtunën në spitalin Spalanzani në Romë mbërriten 9750 dozat e para të vaksinës.

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës dozat e para të vaksinës –Pfizer BioNTech nisën të shpërndahen edhe në Francë.

Një kamion frigoriferik dërgoi afërsisht 19,500 doza nga fabrika Pfizer që ndodhet në verilindje të Belgjikës, në Paris.

Pas ripaketimit në Paris, vaksinat do të dorëzohen në një spital, jashtë kryeqytetit dhe në një shtëpi kujdesi për të moshuarit në Francën lindore.

Dozat e parë mbërritën edhe në Gjermani ku ministri gjerman i Shëndetësisë u shpreh se mesazhi i lumtur i Krishtlindjes këtë vit është se kamionët me vaksina po duken në rrugët e Evropës.

Edhe Spanja është gati, autokolonat ushtarake u larguan nga një depo  ku ruhen vaksinat COVID-19 Pfizer.

Spanja pret të marrë 350,000 dozave në javë derisa të arrijë një total prej gati 4.6 milionësh në mes të marsit.

Një ditë para shteteve të unionit, Hungaria nisi të vaksinojë punonjësit e sektorit shëndetësor.

Në një mesazh në twitter presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen u shpreh se duke nisur nga sot kthejmë faqen e një viti të vështirë.

"Kështu vaksina e covid 19 u shpërnda në të gjitha shtetet e unionit, procesi vaksinimi nis sot. Është një moment prekës i unitetit. Vaksinimi është rruga e qëndrueshme për të dalë nga pandemia", u shpreh Von Der Leyen.

Dozat e para në shtetet evropianë nisin të mbërrijnë, pasi Agjencia Evropiane e Barnave dha autorizim për përdorimin e vaksinës së prodhuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane Biontech.

Të parët që përfitojnë janë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe grupmoshat më të rrezikuara.