Tregu i përbashkët elektro-energjetik me Kosovën, fillon transmetimi

Tregu i përbashkët elektro-energjitik, Shqipëri-Kosovë ka marrë jetë sot, ndërsa ka nisur transmetimin linja 400 kv mes dy vendeve.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, tha se projekti u nis 10 vite më parë, por shtoi e mbeti peng i një formaliteti, për shkak të vetos së Serbisë.

Sipas kreut të Qeverisë, projekti nuk u vu në zbatim në vitin 2016, për shkak të faktit se pala serbe pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit të Kosovës, me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia

“Sot jemi 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit, kam qenë i pranishëm me Isa Mustafën kur kemi lajmëruar përfundimin e projektit dhe linja nuk u vu në punë, për arsyen që duhet thënë sot dhe që mbase u shërben atyre që në mënyrë të verbër kundërshtojnë përpjekjen tonë të vazhdueshme për të integruar qasjen ndaj të ardhmes së rajonit. Vetoja e Serbisë, ishte arsyeja e linja mbeti peng i një formaliteti, në kushtet e mungesës së një vullneti politik.

Kosova për 4 vjet s’mund të merrte një kod transmetimi nga rrjeti evropian i transmetimit se pala serbe pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit të Kosovës me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia.Ky është Shengeni rajonal. E përsëris, ky është Shengeni rajonal.

Kështu zgjidhen problemet që kanë rëndësi shumë të madhe e mbeten peng i fjalëve të mëdha, sherreve të mëdha që ka penguar shqiptarë të shohin përtej hundës së tyre”, tha Rama.