Várhelyi: Vaksinat antiCovid në Ballkanin Perëndimor pa asnjë vonesë

Gjatë ditës së sotme, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim online me Komisionerin për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi.

Me Komisionerin Várhelyi, kryediplomati Cakaj diskutoi gjerësisht mbi mundësinë që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor për të siguruar vaksinën kundër COVID-19, në të njëjtën kohë si vendet e Bashkimit Europian.

Gjithashtu, në një reagim lidhur me takimin e zhvilluar, Cakaj bëri me dije se Komisionerit iu kërkua që politika e vaksinimit e BE-së të zbatohet njëherazi edhe në Shqipëri.

“Në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira, ky do të ishte shembull i jashtëzakonshëm i solidaritetit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha Cakaj.

Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi reagoi në Twitter duke konfirmuar se kishte pasur koordinim të mirë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në lidhje me përditësimet e krizës së pandemisë.

“Ne po punojmë të garantojmë që vaksinat antiCovid të jenë të disponueshme në Ballkanin Perëndimor pa asnjë vonesë, sapo ato të nisin të shpërndahen në BE”, u shpreh komisioneri.
“Ne po veçojmë fonde për rregullimet e mbështetjes dhe koordinimit. Në pandemi, ne qëndrojmë pranë Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilit është në BE. Dhe ne qëndrojmë me partnerët tanë në fqinjësi dhe përtej, vetëm së bashku mund ta tejkalojmë pandeminë”/ata