Vjosa Osmani: Serbia vijon me mendësinë e Millosheviçit ndërsa dialogu ka rrëshqitur në çështje të brendshme

Në një intervistë për Euronews Albania, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar “rrëshqitje në tema të çështjeve të brendshme” mënyrën se si vijoi në dhjetë vite dialogu me Serbinë, “rrëshqitje” për të cilën sipas saj klasa politike tashmë ka marrë mësim.

Në intervistën me gazetaren Ilva Tare, Osmani pranoi se vitet e fundit nuk kanë qenë pozitive për sa i përket njohjeve të reja, apo anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare, mirëpo ajo vlerësoi si pozitive arritjet individuale të të rinjve dhe bashkimin në një zë përballë çështjeve që kërkojnë konsolidimin e shtetit.

“Në tërësi qëllimi ka qenë i njëjtë, pavarësisht se çfarë konsiderohet si mënyra më e drejtë apo më e mirë për t’i arritur ato. Këto lidhen kryesisht me procesin e integrimit, marrëdhëniet me Serbinë dhe në përgjithësi me politikën e jashtme. Edhe pse shpesh na është dashur kohë për të ardhur në një pikë të përbashkët të qëndrimeve, politika e Kosovës ka ditur kohë pas kohe t’i bashkojë këto qëndrime dhe të flasë në një zë për sa i përket konsolidimit të shtetit,” – tha Osmani.

Presidentja në detyrë e Kosovës vlerësoi si suksesin më të madh në histori shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj nga shtetet më të mëdha të botës. Mirëpo ajo e konsideroi si “dështim” mos-shfrytëzimin e energjive që i dha çështjes së pavarësisë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për të shtuar njohjet.

“Në vend që të shternin energjitë dhe qëndrimi i GJND-së të bëhej alfa dhe omega i qëndrimit tonë për sa i përket pavarësisë u kthye në krahun e kundërt dhe u kalua në dialogun me Serbinë, që siç po shihet doli komplet nga binarët, dialog që Serbia e keqpërdori në maksimum duke u thënë shteteve të tjera, qofshin ato njohëse që janë gjeografikisht larg Kosovës dhe nuk i përcjellin zhvillimet, qoftë shteteve që nuk na kanë njohur duke u thënë se Kosova ende nuk e ka finalizuar statusin e saj dhe ato duhet të presin,” – tha Osmani.

Sipas Presidentes në detyrë diplomacia e Kosovës nuk është ende e zhvilluar krahasuar me Serbinë. Ajo ia faturoi “nga pak” gabimet e kryera në të shkuarën mungesës së përvojës dhe personave që drejtuan vendin, të cilat sipas saj e kthyen dialogun “tërësisht” në çështje të brendshme.

“Nëse i analizojmë 33 marrëveshjet publike të arritura me Serbinë, e shihni që ato lidhet me gjykatat në Kosovë, me Urën e Ibrit që është në Kosovë, arsimin, shëndetësinë, sigurinë... pra të cilat, që të gjitha janë të Kosovës, pra ky proces rrëshqiti në tema që kanë të bëjnë në rregullimin tonë të brendshëm dhe tani besoj se e gjithë klasa politike e ka mësuar mësimin nga këto gabime prandaj jemi në diskutime të shumta të brendshme,” – tha Osmani duke pranuar se retorika politike është ashpërsuar, por që kjo vjen nga vonesat e vazhdueshme të gjetjes së të zhdukurve.

Osmani tha se në këtë pikë dialogu mbahet në kushte jo-normale pasi Serbia ende mban peng rreth 1,700 qytetarë të Kosovës mban varrezat masive dhe tenton t’i fshehë krimet.

“Kemi të bëjmë me një shtet që e ka mendësinë e ngjashme me atë të Millosheviçit, vetëm se strategjinë e ka ndryshe sepse ajo ende udhëhiqet nga një pjesë e asaj qeverie të viteve të 90-ta,” – shtoi më tej Presidentja në detyrë e Kosovës./euronewsalbania