Yuri Kim: Mjaft më me lojra, ka ardhur koha për të pasur Gjykatë Kushtetuese

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka ashpërsuar tonet ndaj politikanëve shqiptarë, pas thirrjeve të vazhdueshme për të bërë funksionale brenda këtij viti Gjykatën Kushtetuese.

Ambasadorja Kim do të japë mbrëmjen e sotme një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku në një pjesë të shkurtër të publikuar në faqen e “Facebook” të ambasadës amerikane, kryediplomatja thekson se “njerëzit nuk duhet të presin deri zgjedhjet e ardhshme për të pasur një Gjykatë Kushtetuese”.

“Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të presin deri zgjedhjet e ardhshme për të pasur një Gjykatë Kushtetuese. Ata nuk duhet të presin derisa BE të marrë një vendim, për të pasur sundim të ligjit. Ata e duan tani. Ata e donin një vit më parë. Ata e donin katër vjet më parë. Ata e donin 30 vjet më parë. Ka ardhur koha. Ka ardhur koha. Mjaft me lojra”!, shprehet ambasadorja Kim.

Ndërkohë, intervista e plotë do të transmetohet sonte në mbrëmje, ora 18:00, te “Zëri i Amerikës”./a.p