Zoran Zaev në Pustec: Kemi siguruar libra që fëmijët maqedonas të mësojnë në gjuhën amtare.

Kryeministri Zoran Zaev sot e ka vizituar Pustecin ku ka dhuruar mjete didaktike dhe libra për nxënësit e atjeshëm.

Ai ka njoftuar se për shkollën në Pustec janë siguruar 30.000 euro mjete të siguruara nga donacione për rregullimin dhe ndërtimin e terreneve sportive në shkollën ku një pjesë është dhuruar sot, ndërsa pjesa tjetër në shkurt.

Në pyetjen e gazetarëve rreth marrëdhënieve me Bullgarinë , Zaev ka thënë se punohet në shmangien e problemit për të cilin “nuk e dimë çka është problemi”.

“Ne nuk heqim dorë nga identiteti maqedonas dhe Bullgaria nuk ka arsye të ngritë pretendime tjera. Ne jemi vende mike dhe duhet të ndihmohemi që të shkojmë përpara dhe i gjithë Ballkani të ecë përpara”, ka thënë Zaevi.

“Kemi marrë një zhgënjim dhe trishtim të madh nga BE, por dyja shtetet duhet të punojmë dhe të vazhdojmë rrugën evropiane, pasi alternativë tjetër nuk kemi. Ne jemi vende mike dhe shpresoj se ashtu do të mbetemi. Pandemia ka sjellë probleme, por ne shkojmë para drejt integrimeve. Kemi rrugë të përbashkëta drejt BE-së. Shkupi dhe Tirana i kanë merituar negociatat”, ka thënë Zaevi.

Ai ka shtuar se me bashkëpunëtorët e tij sot kanë dhuruar libra që të mund fëmijët të mësojnë në gjuhën amtare.

“Në Maqedoninë e Veriut shqiptarët mësojnë në shqip. Të njëjtën e shohim në Shqipëri, ku në zonat ku jetojnë maqedonas mësohet në gjuhën maqedonase. Shqipja është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Qeveria jonë ka dhuruar që të ndërtohet shkolla, por do të bëjë edhe punë tjera të vlefshme për bashkësinë”, ka thënë Zaev.

Me kryeministrin Zaev në Pustec ka qenë edhe Vasil Sterjovski, kryetar i Aleancës maqedonase për integrim evropian dhe deputet i kësaj partie në Parlamentin shqiptar.