1 vit nga vdekja tragjike e Kobe Bryant dhe Gianna-s

Një vit pa Kobe Bryant. Ishte 26 janari 2020, kur legjenda e basketbollit u nda nga jeta pas një aksidenti tragjik me helikopter, ku udhëtonte së bashku me vajzën e tij, Gianna dhe shtatë persona të tjerë.

I njohur edhe si Black Mamba, ai ishte një prej yjeve historikë të Los Angeles Lakers, skuadër me të cilën luajti për 20 vjet, duke fituar edhe pesë tituj kampionë në NBA.

Ai hyri në historinë e sportit falë zhdërvjelltësisë dhe teknikës së jashtëzakonshme. Një prej basketbollistëve më spektakolarë në histori, i famshëm për goditjet në rënie, duke i vjedhur kohën kundërshtarëve dhe për zhytjet e shkëlqyera.

Përveç arritjeve në basketbollin amerikan, ai ka fituar edhe dy medalje olimpike me Shtetet e Bashkuara dhe është përzgjedhur 18 herë në ekipin e më të mirëve.

Një personazh tejet i dashur në të gjithë botën, ku ishte një prej atyre që qëndruan në vijën e parë të luftës kundër brutalitetit policor dhe mbështeste me forcë sportin te të rinjtë, si mjet për t’u emancipuar.

Kobe u vlerësua edhe me çmimin Oscar në vitin 2018, për filmin vizatimor me metrazh të shkurtër “I dashur Basketboll”, i frymëzuar nga letra e tij e lamtumirës, në momentin kur vendosi t’i jepte fund karrierës.

Bryant po udhëtonte për të marrë pjesë në Mamba Cup, turneu i basketbollit për meshkuj dhe femra i organizuar nga akademia e tij. Një vit nga ndarja nga jeta e Kobe Bryant, ngjarja duket ende e pabesueshme. Largimi i parakohshëm është një plagë e hapur. Tragjedia ajrore që solli përplasjen e helikopterit në kodrën e Calabasas, në veri të Los Angeles, ndodhi për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe mjegullës.