108 vjetori i themelimit/ Çuçi: Policia e Shtetit, sot institucioni më i besueshëm! Prioritetet dhe sfidat për 2021

Në 108 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ministri Bledi Çuçi tha se ky institucion është ndër më të besuarit për publikun.

Mjafton t’u referohemi sondazheve të opinionit të javëve të fundit e jo vetëm, ku rezulton se Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besueshme në vend. Ky besim nuk është një rastësi, por fryt i punës, përkushtimit, sakrificave të të gjithë trupës, e kombinuar kjo me një sërë reformash e investimesh të kryera vitet e fundit. Ndër aspektet pozitive të ndryshimeve në radhët e Policisë është përtëritja e radhëve të saj me elementë të rinj, të aftë, të përgatitur e të përkushtuar.  Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën duke krijuar mundësitë për çdo të ri që ka një formim akademik, të bëhet pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit.  Të mbajmë parasysh faktin se jemi ndër vendet me numër më të ulët trupash policore për numër popullsie në rajon ndoshta dhe më gjerë. Këtë mangësi po përpiqemi ta mbushim sa është e mundur nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja, e metodave moderne të policimit”, tha ministri.

Çuçi ka bërë edhe një analizë të vitit 2020 të punë së Policisë duke folur edhe për prioritetet.

Viti që lamë pas nisi me sfidën për zbulimin e konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme e kriminale. OFL bëri të mundur sekuestrimin e qindra pasurive dhe aseteve të vëna në rrugë kriminale, duke hequr nga duart e krimit miliona euro, e ky proces këtë vit është drejt finalizimit. Paralelisht me këto aksione, trupa e policisë ka një vëmendje konstante në luftën kundër krimit, drogës, trafiqeve e paligjshmërive të ndryshme. Këto janë ndër prioritetet e punës për të cilën merr kuptim vetë ekzistenca e strukturës së Policisë së Shtetit”, shtoi Ministri.

Ai u ndal dhe te sfidat e Policisë për vitin 2021.

Viti 2021 do të sjellë një ngarkesë jo të lehtë për Policinë e Shtetit e Ministrinë e Brendshme, pasi është vit zgjedhor.  Policia ka detyra specifike për sigurimin e mbarëvajtjes së tyre. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim shtesë kohe dhe energjie”, tha Çuçi.