Ambasadori Soreca: BE-ja është e gatshme për të vazhduar mbështetjen financiare për Shqipërinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca në një postim në Twitter shkruan se BE-ja është e gatshme për të vazhduar mbështetjen financiare për Shqipërinë në këtë kohë pandemie.

“Të gatshëm për të vazhduar mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, një aktor thelbësor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. COVID 19 përfaqëson një sfidë të pashembullt, sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar”, shkruan ambasadori.

Zoti Soreca thekson më tej se BE-ja ka siguruar më shumë se 230 milionë euro mbështetje financiare për Shqipërinë.

“BE-ja ka siguruar më shumë se 230 milionë euro mbështetje financiare për Shqipërinë në krizë, për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të mbështetur përfshirjen sociale. Edhe njëherë, demonstrojmë solidaritetin e fortë Evropian dhe angazhimin solid për Shqipërinë”, shkruan ai.

Ambasadori theksoi  se Banka e Shqipërisë aktualisht po përfiton edhe nga një projekt rajonal IPA.

“Banka e Shqipërisë aktualisht po përfiton edhe nga një projekt rajonal IPA prej 2 milionë eurosh. Qëllimi i tij është të forcojë kapacitetet e bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore”, tha ai gjatë fjalës së tij në projektin e binjakëzimit.