Ambasadorja amerikane Yuri Kim: Udhëheqësit e partive të sigurojnë lista të pastra në zgjedhjet e prillit

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një diskutim me përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët ka folur për zgjedhjet e 25 prillit.

Në një mesazh në “facebook”, ambasada amerikane thekson se amabsadorja Kim ka rënë dakord me përfaqësuesit e shoqërisë civile që udhëheqësit e partive duhet të angazhohen për të verifikuar kandidatët e tyre dhe për të siguruar lista të pastra.

Ambasadorja Kim pati një diskutim të mirë me përfaqësuesit e shoqërisë civile në lidhje me shqetësimet dhe idetë e tyre për të siguruar llogaridhënie në qeveri dhe transparencë përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Ata ranë dakord që udhëheqësit e partive duhet të angazhohen për të verifikuar kandidatët e tyre dhe për të siguruar lista të pastra. Ajo falënderoi shoqërinë civile në Shqipëri për kontributin e saj për demokracinë dhe për mbajtjen e llogaridhënies ndaj qeverisë. Ambasadorja tha se ashtu si në Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të Europës, edhe Shqipëria përfiton nga një shoqëri civile aktive”, thuhet në mesazhin e ambasadës.