Buxhuku: Fiksimi i pagës minimale shumë i rëndësishëm

Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku në një intervistë për RTV Ora është ndalur specifikisht edhe te vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale.

Sipas tij politika që bëhet me taksat dhe me tatimet, në thelb nuk e prek ekonominë, ndërkohë që shton se disa lëvizje të pamenduara mirë ç’orientojnë tregun.

“E gjithë politika që bëhet me taksat dhe me tatimet, në thelbin e saj nuk e prek ekonominë. Këtu kemi efekte që janë edhe reaksion. E para rrezikojmë të kemi skema ku bizneset copëtohen për të kaluar pragjet përfituese.

E dyta kemi një vendim të qeverisë për fiskalizimin. Edhe në thelbin e saj është një hap pozitiv që duhet menduar mirë se si duhet të bëhet. Në momentin që hapen këto shtigje të mëdha, ku ti ke mundësi ligjore të prekësh, të kalosh në fashat e privilegjuara që nuk paguajnë taksa, edhe fiskalizimi humbet kuptimin e tij.

E treta, një vendim i rëndësishëm që hyn në zbatim tani në janar, është vendimi për fiksimin e pagës minimale, që është fiksuar në 30 mijë lekë (të reja). Logjika është që çdo hyrje që bëhet në treg me urdhër nga sipër e ç’orienton tregun. Në pamje të parë është një lëvizje populiste, por këto janë problematika që i kalojnë politika kombëtare në tërësi. Këtu ose je në ekonomi tregu ose nuk je”, ka thënë Buxhuku./oranews