Çavuşoğlu: Jam i gatshëm të takoj kryediplomatin grek në Tiranë me ftesë të kryeministrit Rama

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka ftuar Greqinë për mbledhjen e parë të bisedimeve hulumtuese brenda muajit janar, për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë të dyja vendet, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu sot në Ankara zhvilloi një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologun e tij nga Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC), Tahsin Ertuğruloğlu.

Ai tha se në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Qipros nuk është arritur rezultat për 52 vite, duke shtuar se duhet të zhvillohet një negociatë në të cilën vendet garantuese dhe palët në ishull paraqesin mendimet e tyre.

Çavuşoğlu theksoi se tek Kombet e Bashkuara (OKB) kanë propozuar mbajtjen e një mbledhjeje 5+1 e përbërë nga palët në Qipro dhe vendet garantuese. Ai tha se procesi për realizimin e mbledhjes 5+1 është duke vazhduar.

Kryediplomati turk deklaroi se Këshilltarja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Jane Holl Lute, pas vizitës në Turqi, sot ka realizuar një vizitë në Qipro.

"Qëndrimi i Turqisë dhe TRNC-së në lidhje me këtë është tejet i qartë. Deri më sot nuk kishte barazi politike, duhet të negociohet barazia sovrane, duhet të ketë zgjidhje me dy shtete", tha Çavuşoğlu.

Duke komentuar edhe bisedimet hulumtuese mes Turqisë dhe Greqisë, Çavuşoğlu tha se deri më sot janë zhvilluar 60 bisedime dhe kanë dalë në pah mbi 5.000 faqe dokumente.

"Ftojmë Greqinë për mbledhjen e parë të bisedimeve hulumtuese brenda muajit janar", tha ai.

Çavuşoğlu gjithashtu komentoi edhe ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të organizuar një takim me kryediplomatin grek Nikos Dendias në Tiranë.

Ai tha se në këtë periudhë Dendias ka hyrë në karantinë.

"Pas këtij takimi të parë, jam i gatshëm të takoj Dendias duke shkuar në Tiranë me ftesën e Ramës. Kjo është një ftesë, shpresoj që Greqia nuk e refuzon këtë mundësi, këtë ftesë dhe së shpejti fillojnë bisedimet hulumtuese", tha ai.