Denaj: Shqipëria angazhim maksimal kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Shqipëria në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit po bashkëpunon ngushtësisht më Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Financial Service Volunteer Corps.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në takimin e parë në kuadrin e asistencës teknike që Departamenti Amerikan i Shtetit do të ofrojë si angazhim i luftës kundër parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ky projekt nëpërmjet FSVC (Financial Services Volunteer Corps), e cila ka një përvojë të gjatë, do të mbështesë institucionet shqiptare. Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Guvernatori Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si dhe përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për zbatimin e plotë të rekomandimeve ndërkombëtare të FATF, si dhe rolin që ministria, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave kanë.
“Kemi marrë tashmë vlerësime pozitive për disa nga objektivat e përbashkët me institucionet ndërkombëtare, duke miratuar dy ligje të rëndësishme, si ai për Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe për Regjistrin e Llogarive Bankare”, tha Denaj.

Ajo theksoi se po vijon puna për të ngritur të gjitha sistemet e nevojshme, për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe zbatim rigoroz të ligjit.
Plani i veprimit është miratuar në Komitetin e Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave, të kryesuar nga Kryeministri Rama.

Programi do të zgjasë dy vjet dhe do të përqendrohet kryesisht në forcimin e përputhshmërisë me rekomandimet e Moneyval në fushën e CFT.