‘Diplomacia e Vaksinës’ ndërmjet nacionalizmit, regjionalizmit, korporatizmit dhe globalizmit

Prof. Lisen BASHKURTI

Bota në gjunj përballë një virusi. Si kurrë më parë mbarë planeti po përpëlitet në dridhmat e pandemisë së shkaktuar nga covid-19. I vënë përballë enigmash të shumta, njerëzimi po i rikthehet teorive të vjetra konspirative, por edhe disa teorive të reja të kësaj natyre. Këto teori po elaborohen nga përcaktimi i origjinës së virusit e deri tek vaksina, përbërja, efikasiteti dhe qëllimi i saj.

Në këtë makth të paparë edhe diplomacia po rreket të gjejë veteveten. Ishim mësuar të dëgjonim termat ‘diplomacia klasike’, ‘diplomacia ushtarake’, ‘diplomacia ekonomike’, ‘diplomacia publike’, ‘diplomacia kulturore’, por nuk e kishin menduar, së paku deri një vit më parë, se do përdorimin edhe përcaktimin ‘diplomacia e vaksinës’. Ja që po përdoret. Po. ‘Diplomacia e Vaksinës’. Dhe po përdoret në konktekste nacionaliste, regjionaliste, koorporatise dhe globaliste e, më së shumti si ballafaqim ndërmjet tyre.

 Rënkimi nacionalist

Virusi covid-19 erdhi fare papritur, por zgjoi demonë shumë pritur. Covid-19 zgjoi demonët e nacionalizmit. Askush më shumë e më shpejtë se shtetet, si aktorë të ekzistencës dhe të mbrojtjes së interesave nacionale nuk reagoi më shpejtë. Ndonëse qasjet ishin të ndryshme në përmasa, shpejtësi dhe efektivitet sërish shpallja e emergjencës kombëtare, si deklarimi i lockdoën tërësor apo të pjesshëm, i karantinës dy apo më shumë javore, i mbylljes së kufijve me afat të shkurtër apo të tejzgjatur, i kufizimit të lëvizjeve së njerëzve, mallrave e shërbimeve, i aplikimit të distancimit social dhe i aktiviteteve sociale, i vënies së maskave në mjedise të hapura dhe të mbyllura, i sanitarizimit të njerëzve, pajisjeve dhe ambjenteve, gjithsesi tanimë këto masa kanë kapluar cdo shtet.

Gjithë këto masa janë ngërthyer në nivel shtetërore, bazuar në politika strikte nacionaliste. Gjatë aplikimit të këtyre masave drastike janë kufizuar deri në skaj liritë e të drejtat e njeriut brënda shteteve, janë injoruar e shkelur marrëdhëniet dhe e drejta ndërkombëtare ndërmjet shteteve, janë abandonuar detyrimet e marrëveshjet botërore midis shteteve. Rënkimi nacionalist mbi cdo klithmë tjetër. U provua, ajo cka gjithnjë është ditur, por jo gjithnjë është theksuar se shtetet janë aktorët më të vjetër, më kryefortë, më rezistent, më agresivë, më konservator dhe më kryeneq në sistemin e në marrëdhëniet ndërkombëtare. Covid-19 e nxorri krejt në pah këtë natyrë të pandryshuar ose fare pak të ndryshuar të shteteve dhe politikave të tyre dominuese nacionaliste. Kriza e pandemisë covid-19 zgjoi demonin e nacionalizmit në mënyrë të frikshme. ‘Secili për vete, Zoti për të gjithë’, kjo parrullë e harruar prej dekadash, i rizgjua brënda pak kohe sikur të kish qënë përherë aktuale.

Në këto rrethana diplomacia iu rikthye ‘kostumit të vjetër’ atij nacionalist. Diplomacia zyrtare, ajo politike e strategjike, konfidenciale dhe publike, formale dhe informale, e trakut të parë, të dytë dhe tëv tretë, diplomacia në distancë, online, në email, në telefon u nacionalizua tmerrësisht, duke marrë pamjen e ‘diplomacisë së vaksinës’. Por nëse vaksina në vetevete krijon anti-trupa për mbrojtjen e njeriut, ‘diplomacia e vaksinës’ krijon anti-trupa për mbrojtjen e organizmit komb-shtet. Të dyja janë egoiste. Si të tilla asnjëra nuk njeh dhe respekton ndihmën, humanizmin, solidaritetin.

Klithma regjionaliste

“Një për të gjithë e të gjithë për një”-kjo ka qënë dhe mbetet moto e diplomacisë së BE. Së paku deri përpara pandemisë covid-19. Sot, të mbërthyer shpesh herë në struktura regjionaliste për shkak të integrimeve të thella dhe të gjëra, në kohën e pandemisë covid-19 shumë rajone e nën-rajonë ngritën klithma regjionaliste për adresimin e kësaj krizë. Klithma regjionaliste ishte ‘nacionalizëm i shumëfishuar’ nga strukturat e integruara thellësisht e gjërësisht. Rast tipik ishte klithma e fuqishme e zëplote e Bashkimit Evropian. Organizata, ndonëse u ndesh edhe nga rënkime nacionaliste në kohën dhe mënyrat e adresimit të pandemisë covid-19 në nivele shtetesh antare, sërish në fazat e avancuara të kësaj krizë, zërat nacionaliste u bashkuan në koralen e fuqishme regjionaliste sidomos për adresimin e krizës ekonomike, financiare e sociale. BE hapi thesin e thesarit të saj prej triliona eurosh për t’i dhënë incentiva ekonomisë së goditur dhe ndihmës sociale për kategoritë e shtresat e prekura nga mbylljet dhe falimentimet e bizneseve.

Kriza pandemike e bëri gjeneroze BE, por vetëm brënda kufijve të saj, ekonomive të saj, tregjeve të saj shtresave në nevojë brënda saj. Ishte ky një reagim i ‘nacionalizmit të shumëfishuar’ dhe të integruar thellë e gjërësisht. Ishte një bashkim regjional multinacional. Ishte një ‘solidaritet nacionalizmash’ të caktuar. Ishte një humanitet ndërveti i paparë e i panjohur më parë. Ishte një unitet në të keq.

Kështu u mbyllën kufijtë e jashtëm, por jo të brëndshëm të Evropës së Bashkuar. U lëshuan paratë e pafund për ekonomitë e shtresat sociale brënda Evropës, por aspak jashtë saj. U bënë kontrata të shpejta dhe të shumta me korporatat farmaceutike këtej e përtej Atlantikut për blerje miliarda vaksinash për organizatën, por jo për fqinjët përreth saj. ‘Diplomacia e vaksinës’ e ekspozoi Bashkimin Evropian si model i solidaritetit shumënacionalist, më shumë sesa europeist.

Përballë krizës së pandemisë ‘diplomacia e vaksinës’ e shpalosi BE si një përbindësh egoist, pa humanitet e solidaritet ndërkombëtar e global. ‘Diplomacia e vaksinës’ e Bashkimit Evropian nuk ishte as më shumë e as më pak si ‘diplomacia Trump’, e cila urdhëroi ndalimin e eksportimit të vaksinës Pfizer jashtë ShBA. ‘Zoti bekoftë Amerikën dhe askënd tjetër!’, kjo ishte thirrja e Trump. Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Evropës së Bashkuar vepruan me ‘diplomacinë e vaksinës’, së paku deri tani, me efektin e pasqyrës, njëlloj. Vëndet e varfëra, vëndet në zhvillim, vëndet e Botës së Tretë, thuajeni si të doni, ngelen të braktisura deri tani nga ‘diplomacia e vaksinës’. Tërë parimet, vlerat, normat e krijuara, të lancuara, të përhapura e propoganduara në botë prej vëndeve më të zhvilluara e demokracitë më të konsoliduara, u shëmbën si një pallat i qelqtë përballë një tërmeti përbindësh.

Kriza pandemike solli një përcudnim regjionalist brënda BE, prokovoi një denatyrizim të vlerave europeiste, tronditi rëndë imazhin e BE në Kontinent por edhe në botë. U duk sikur BE qënkesh krijuar për paqe e stabilitet vetëm brenda vetes e jo për të tjerë, se BE qënkesh krijuar për demokraci e të drejta njeriu vetëm për popujt e saj e jo për të tjerë, që BE qënkesh krijuar për prosperitet ekonomik e social të qytetarëve të vet dhe jo të mbarë njerëzimit. Popujt jashtë Evropës i ka tronditur kjo sjellje e papritur e ‘diplomacisë së vaksinës’ së BE. Popujt me memorie të gjatë nuk do ta harrojnë këtë moment për shumë kohë. Krizat janë provë për gjithcka dhe për këdo.

 Kryeneqësia korporatise

Prej shumë dekadash, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore, kemi dëgjuar gjithnjë e më shpesh definicionin mbi ‘politikat korporatiste’. Shumëkush i ka kuptuar me kohë specifikat e politikave korporatiste, sidomos në vëndet shumë të zhvilluara dhe të industrializuara. Politikat korporatiste burojnë nga grupe të fuqishme dhe ndikuese korporatsh që zënë vënd dhe ndikojnë mbi politikat publike mbi vendimet e ekzekutiveve, mbi aktet legjislative, mbi politikat fiskale, mbi strategjitë ushtarake dhe diplomatike kudo në botë.  Janë politika me fuqi e ndikim global.

Për herë të parë në mënyrë të qartë, te dukshme, të zbuluar, madje edhe agresive politikat koorporatiste arritën thuajse në veshin e cdo qytetari në mbarë botën. U pa qartë se ka ShBA, por ka edhe Pfizer, ka Mbretëri të Bashkuar dhe Bashkim Evropian, por ka edhe AstraZeneka, pra ka shtete dhe super-shtete, por ka edhe koorporata mbi to e pavarësisht prej tyre. Madje ka Bashkim Evropian Shtetesh që konfrontohet me koorporatë farmaceutike sepse i vonohen vaksinat për interesat e saj.

Kriza pandemike skulpturoi mbi botë kryeneqësinë e koorporatiste të ‘diplomacisë së vaksinës’. ‘Diplomacia e vaksinës’ koorporatiste duket se u ngrit mbi nacionalizmitn, mbi regjionalizmin, mbi globin për shkak të interesave të veta. Na doli koorporatizmi mbi globin, biznesi mbi kombet, paraja mbi popujt, fitimi kapitalit mbi fitimin e jetëve njerëzore. Koorporatat farmaceutike u ngritën si përbindësha që nuk janë bërë për të shpëtuar jetë, por për dicka tjetër. Njerëzimi zor se do e harrojë këtë përcudnim kaq antinjerëzorë në kohët e pandemisë. ‘Diplomacia e vaksinës’ duket se ka lindur pikërisht në laboratoret e farmaceutikës koorporatiste e prej saj ka kapluar kanceleritë e shteteve, regjioneve e mbarë botës.

 Braktisja e globalizmit

‘Diplomacia e vaksinës’ duket se po ngrihet e zhvillohet si alternativë e diplomacisë globaliste. Në këtë qerthull krize pandemike globale, vetëm një strukturë që përpiqet nga fillimi i krizës e vijon të mbetet e përpjekur për adresim global të saj është Organizata Botërore e Shëndetsisë. E krijuar si agjensi e specilizuar për shëndetin publik ndërkombëtar në vitet ’50 të shekullit të kaluar, me qënder në Gjenevë, me gjashtë zyra rajonale dhe rreth 150 zyra në mbarë botën ajo ka mandatin botëror për të mbrojtur shëndetin universal, për të monitoruar shëndetin publik, për të koordinuar në raste emergjencash dhe për të promovuar shëndetin njerëzor në nivel botëror. Pranë saj janë bashkuar burime shkencore, teknike e financiare ndërkombëtare. OBSh ka pasur rol kyc në trajtimin e ebolas, poliomilitit, malarias, tuberkulozit, diabetit, zëmres, kancerit, HIV, dietës, sigurisë ushqimore, substancave abuzive etj. Shtetet antare, por edhe donator privat, vullnetar e filantrop të mëdhenj financojnë OBSh në misionin e saj.

Cuditërisht kjo agjensi e vjetër, e përbotëshme dhe me kaq kontribute në shëndetin publik ndërkombëtar u gjënd e sulmuar dhe e braktisur në këtë kohë pandemie botërore covid-19. Organizatës iu pakësuan fondet e burimet e ndryshme pikërisht kur i duheshin më shumë se kurrë. Si për të mos mjaftuar kjo, OBSh e braktisën Shtetet e Bashkuara në pikun e shpërthimit të pandemisë Covid-19. Organizatës iu mbyllën kufijtë dhe statistikat nga disa shtete.

Përballë një situate të tillë OBSh ngriti zërin në kupë të qiellit. Klithma e saj globale arriti kulmin në periudhën e fillimit të vaksinimit. Filloi ndeshja midis ‘diplomacisë globaliste’ dhe ‘diplomacisë së vaksinës’, ku e para mbron interesat e shendetit publik ndërkombëtar me barazi, drejtësi, humanitet e solidaritet dhe, e dyta, mbron interesat koorporatiste dhe ato të nacionalizmave e regjionalizmave më të pasur e më të fuqishëm. Kjo betejë sapo ka filluar. Fundi nuk i dihet. Mbetet për të parë se kush do të fitojë.

Kryqësime diplomatike mbi Ballkan

Ballkani Perëndimorë është diku midis nacionalizmit dhe regjionalizmit në qasjen ndaj ‘diplomacisë së vaksinës’. Po kështu është edhe në orientimin etimilogjiko e gjeopolitik i tij. Disa e quajnë Ballkan, disa Europe-Juglindore, disa të tjerë e quajnë Europë Qëndrore, disa e konsiderojnë Portë Lindore të Perëndimit, disa e konsiderojnë Portë Perëndimore të Lindjes, e të tjerë e thërrasin Oborri midis Lindjes dhe Perëndimit. Midis kaq përcaktimesh, thirrjesh e konsiderimesh Ballkani Perëndimor është ai që është. As më shumë dhe as më pak.

Në kohën e krizës pandemike Covid-19, Ballkani Perëndimorë duket se është shndërruar në një kryqëzim diplomatik. Erërat e ‘diplomacisë së vaksinës’ në Ballkanin Perëndimorë duket se po fryjnë nga Lindja e Largme deri të Perëndimi i Largët. Pikërisht mbi këtë nën-rajon të vogël po përplaset vaksina kineze, që po vepron në Serbi, me vaksinën Amerikane, që sapo ka filluar të veprojë në Shqipëri. E munguar duket të jetë vetem vaksina Evropiane. Pse? Sepse Evropa po merret me veteveten. E përsa kohë Evropa merret me veteveten, duke anashkaluar Ballkanin Perëndimor në përkujdesjen për vaksinimin, ‘diplomacia e vaksinës’ e vëndeve te këtij nën-rajoni shqyen sytë nëpër botë, nga Lindja e Largme në Perëndimin e Largët. Kështu Ballkani Perëndimorë mbetet nën kryqëzimet diplomatike. Në këtë nën-rajon edhe ‘diplomacia e vaksinës’ duket thellësisht e përcarë.

/argumentum.al

© Argumentum